Policia e Ministria e Brendshme pengojnë punën e komisionit “Tahiri”

Policia e Ministria e Brendshme pengojnë punën e komisionit “Tahiri”

Në mars të vitit 2018, parlamenti ngriti një komision për të hetuar përfshirjen e ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e lëndëve narkotike në bashkëpunim me bandën Habilaj, e cila aktualisht po gjykohet në Itali.

Teksa hetimi i prokurorisë ngeci, pasi Arta Marku u emërua Prokurore e Përgjithshme, komisioni hetimor, i kryesuar nga nënkryetari i PD-së Edi Paloka, duhej të hetonte çështjen Habilaj-Tahiri dhe veprimet e mosveprimet që çuan në dështimin e luftës ndaj drogës së institucioneve shqiptare.

Megjithatë një kërkesë e bërë kohët e fundit nga Zoti Paloka, për të shtyrë afatin e punës së Komisionit, tregon se qeveria dhe Policia e Shtetit kanë hezituar t’i japin parlamentit informacione në lidhje me çështjen Tahiri:

“E kapur në flagrancë, në veprimtari të paligjshme të lehtësimit dhe mbështetjes së organizatave kriminale në kryerjen e trafikut ndërkombëtar të lëndeve narkotike, Qeveria, dhe konkretisht Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ka pamundësuar veprimtarinë e Komisionit Hetimor gjatë gjithë kësaj periudhe.

Edhe pse Komisioni Hetimor, që prej muajit Prill 2018, ka kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ende deri sot, asnjë e dhënë apo dokumentacion i kërkuar, nuk i është vënë në dispozicion.

Pengimi i Komisionit Hetimor për shkak të mosdërgimit të informacionit nga ana e Ministrit te Brendshëm dhe Policisë së Shtetit, shërben për të fshehur gjurmët e lidhjes së Qeverisë me krimin e organizuar dhe për asgjësimin e informacioneve dhe provave që përfshijnë në veprimtari kriminale vëllain e dënuar për trafik droge të Ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jyrgys Çyrbja, etj.”

Ndërkohë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu pakënaqësi për punën e komisionit:

“E papranueshme që Komisioni të mblidhet vetëm 4 herë në 6 muaj.”

Megjithëse Kuvendi votoi pro shtyerjes së punimeve të komisionit me tre muaj, duke parë mungesën e bashkëpunimit të ministrisë e policisë, fare thjeshtë mund të parashikohet që tani rezultati i punës së këtij komisioni.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>