Policia nuk guxon ta arrestojë nipin e deputetit, dhunuesin brutal të gruas

Policia nuk guxon ta arrestojë nipin e deputetit, dhunuesin brutal të gruas

Këtë javë u shfaqën në internet pamjet shqetësuese, ku nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja rrihte e shqelmonte brutalisht një grua të pambrojtur, për minuta të tëra, përpara Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Nga ana tjetër, sipas raportimeve në media, policia e gjendur aty nuk ndërhyri.

Një raport i djeshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) hedh një dritë për të mos u pasur zili mbi (mos)reagimin e policisë, duke e shfaqur edhe njëherë realitetin në Shqipëri të kapur nga një sistem drejtësie të bazuar te klasa: ata që kanë lidhje me politikanë apo biznesmenë nuk i prek ligji, ndërsa shqiptarët e zakonshëm ligji i shtyp me gjithë forcën e vet.

Sipas KSHH-së, një personi me inicialet R.Rr, i identifikuar në media si nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, iu afrua një grua duke e sharë, me ç’duket nën efektin e alkoolit. Pas kësaj, shpërtheu dhuna mbi gruan, video të së cilës u shpërndanë në internet. KSHH vëren se deri një javë pas, policia nuk dha njoftim për ngjarjen, megjithëse ishin vetë oficerët e policisë që e çuan gruan në urgjencë dhe megjithëse familjarët e saj e lajmëruan policinë.

Po ashtu, R.Rr. nuk u arrestua në momentet që po ushtronte dhunë, megjithëse më vonë policia e mori në komisariat për një deklaratë. KSHH deklaroi se:

“Është e paqartë se përse një shtetas që ushtron dhunë brutale në ambientet publike i referohet organit procedues për kundravajtje penale, për më tepër në kushtet kur viktima, në trupin e së cilës ndodhen shenjat dhe pasojat e dhunës është larguar dhe nuk është bërë as ekspertimi mjeko-ligjor i saj.”

KSHH më tej zbuloi se viktima e dhunës u mbajt në spital e lidhur në pranga, në shkelje të plotë të ligjit shqiptar dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ky rast i dhunës nga nipi i deputetit socialist Rraja është shumë i ngjashëm me rastin e mëhershëm të djalit të tij. Këtë të fundit, një grua e akuzoi për përdhunim dhe rrëmbim, por policia nuk i dha mbrojtje asaj dhe nuk e arrestoi apo hetoi djalin e deputetit. Në vazhdën e propagandës djallëzore të menduar mirë, Kryeministri Rama përdori vetëm gra të Partisë Socialiste për ta mbrojtur të akuzuarin, si dhe deputetët dhe kryebashkiakun e akuzuar për përfshirje në mbulimin e rastit.

Pasi më në fund ky u arrestua për “përndjekje”, pas presionit të madh mediatik, i akuzuari nxori në pah dimensionin politik të krimit të tij. Në sallën e gjyqit, ai tha: “Lulzim Basha ta provojë në zgjedhje!”. Ndërkohë, gazetari Basir Çollaku, që shkroi për rastin dhe për përpjekjet e Partisë Socialiste për ta mbuluar ngjarjen, u kërcënua.

Në të dyja rastet e nipit dhe djalit të deputetit është e qartë se policia nuk veproi ndaj anëtarëve të familjes së një deputeti të partisë në pushtet. Rezultati i këtij qëndrimi tregon se sistemi i drejtësisë në Shqipëri bazohet te klasa. Në këtë sistem, shqiptarët e thjeshtë trajtohen ndryshe nga ata që kanë lidhje me pushtetin. Ky është tregues i korrupsionit të thellë të policisë dhe shtetit shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>