Policia ka ndërmarrë këtë fundjavë aksion kontrollesh në të gjithë vendin. Objektiv kanë qenë makinat e shtrenjta.
Aksioni kishte synim kapjen e personave në kërkim, që kanë armë, lëvizin me makina pa dokumente, apo të vjedhura. Duke cituar burime të saj, Top-Channel tha se ky aksion i kishte sekuestruar makinën e blinduar të Plaurent Dervishajt, kunat i Lulzim Berishës, shefit të ish-bandës së Durrësit.
Sekuestrimi ka lidhje me Operacionin Forca e Ligjit (OFL). Dervishajt iu bë atentat verën e vitit të shkuar. Ai u godit me breshëri armësh në dalje të autostradës Tiranë-Durrës, teksa po udhëtonte me makinë. Ngjarja ktheu në vëmendje vendimet gjyqësore pro ish-bandës.
Makina e Dervishajt, është e katërta e blinduar që sekuestron OFL pas atyre të Dashamir Gjokës, Saimir Taullaut dhe Durim Bamit.
Policia njoftoi se deri mesditën e së dielës kishte kontrolluar “mbi 140 automjete luksoze dhe për një pjese të tyre vijon verifikimi i dokumentacionit”. Gjithashtu autoritetet kanë shoqëruar dhe verifikuar në ambientet e policisë mbi 170 persona. Pjesë e këtij numri të raportuar ishin edhe të shoqëruarit për mungesë mjetesh identifikimi.