Politika kriminale e Edi Ramës: Vilma Nushit i fal miliona euro, të sëmurës me kancer i thotë nuk kemi para për ilaçe

Politika kriminale e Edi Ramës: Vilma Nushit i fal miliona euro, të sëmurës me kancer i thotë nuk kemi para për ilaçe

Dy ditë më parë në Rrëshen, një grua që vuan nga kanceri akuzoi Kryeministrin Rama për mungesën e ilaçeve jetike për kancerin në spitale:

Kam 26 vjet mesuese, jam diagnostikuar me kancer të gjirit dhe gjatë kësaj periudhe kam kaluar disa faza, vazhdoj kurën me herceptinë, duhet ta beja 18 herë, cdo 21 ditë, nga fundi gushtit deri tani duhet të kisha bërë 8 herë kam bërë vetëm 3.  

S’ka ilaç hereceptinë në Onkologjik, për mua dhe për 130 të sëmurë të tjerë dhe kjo situatë vijon prej muajsh.

Në mënyrë cinike, kryeministri i tregoi që qeveria nuk ka para mjaftueshmë për ilacet e kancerit:

Kjo është një çështje e fondit dhe sigurisht që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara. Bëhet fjalë për kura shumë të shtrenjta.

Kjo shprehje është diskreditim i premtimit të Kryeministrit për mjekësi falas, pasi më shumë se mjekësi falas duket se pacientëve po u ofrohet vdekja falas. Por kjo nuk është as fakti më i rëndë në lidhje me këtë situatë.

Skandali në kufijtë e krimit është se ndërsa të sëmurët me kancer i ka lënë në mëshirën e fatit, Kryeministri Rama paguan miliona euro për klientët e tij të cilët nuk ofrojnë asgjë.

Në vitin 2015 dhe në vitin 2016, Vilma Nushi, klientja e Edi Ramës, e cila ka marrë koncesionin e dyshimtë të kontrollit të përgjithshëm të popullsisë është paguar rreth 4 milionë euro pa bërë asnjë analizë. Kontrata që qeveria i ka dhënë zonjës Nushi ka sanksionuar se Vilma Nushi do të paguhet çdo vit për 475 mijë kontrolle shëndetësore pavarësisht se sa bën, pra edhe në qoftë se nuk bën asnjë. Këtë fakt e ka pranuar ish- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, edhe pse kontrata e koncesionit mbahet edhe sot sekret nga qeveria.

Në vitin 2015, Zonja Nushi deklaroi se u bënë 244 mijë kontrolle shëndetësore më pak se sa shuma e planifikuar, por u pagua për të 475 mijë qytetarët, njësoj sikur t’i kishte bërë. Në vitin 2015, kompania u pagua me 1,7 milionë euro për kontrollet e pa kryera. Ndërsa në vitin 2016, kompania u pagua me 2,3 milionë euro për kontrolle mjekësore që nuk u bënë kurrë.

Kjo është politika kriminale shëndetësore e qeverisë, koncesionarja paguhet pa bërë asgjë, ilaçet e të sëmurëve me kancer nuk paguhen as në prag të vdekjes.

Ky nuk është një rast i shkëputur, është një praktikë normale. Në një rast tjetër, pak javë më parë nga buxheti i shtetit i janë dhënë rreth 820 mijë euro kompanisë që do të ndërtojë dhe menaxhojë inceneratorin e mbetjeve në Fier, punimet për të cilin nuk kanë nisur ende. Të njejtës kompani, Integrated Technology Waste Treatment, qeveria i ka dhënë 5 milionë euro të tjera. Edhe në këtë rast, kontrata që qeveria ka bërë me kompaninë është e tillë, i garanton privatit pagesa milionëshe pavarësisht nëse kanë ofruar ndonjë shërbim apo jo.

Akoma më e rëndë është mungesa totale e përgjegjshmërisë që ndjen kryeministri Rama përballë kësaj situate. Duke folur të nesërmen e akuzave publike nga pacientja e kancerit me qëllim që të kontrollonte dëmin në imazh që pësoi, Kryeministri Rama u shpreh:

Përballë një historie të tillë ka dy mënyra për të qëndruar, e para është të thuash: ja krimi, droga qeveria e poshtër ka ndërprerë kurën e asaj mësuese.

Mënyra tjetër është për të mos e mbyllur bisedën aty dhe për të vazhduar bisedën me atë mësuese për të gjetur zgjidhjen. Ashtu siç bëmë edhe ne. Pas mbledhjes së djeshme ne vazhduam dhe do të çojëmë deri në fund detyrimin tonë që brenda 10 ditëve të ardhme t’i garantojmë jo vetëm asaj, por gjithë të sëmurëve atë ilaç.

Edhe përballë thirrjeve të dëshpëruara për ndihmë të një sëmure me kancer, Kryeministri Rama përpiqet ta shfrytëzojë situatën për interesin e tij personal politik për të ulur besueshmërinë e akuzave për korrupsion dhe lidhje me krimin të qeverisë së tij.

“Të vazhdojmë bisedën me atë mësuese për të gjetur zgjidhjen” thotë Kryeministri, por në fakt kjo nuk është çështje bisedash. Është çështje prioritetesh. Edi Rama duhet të zgjedhë: të financojë ilacet e të sëmurëve me kancer, apo të japë para “qyl” për klientët.

Deri më sot, Edi Rama ka zgjedhur të pasurojë klientët e tij miliarderë dhe të lërë të vdesin qytetarët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>