Politikanët shqiptar kujtuan të shtunën sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, me rastin e 20 vjetorit të ngjarjes.
Presidenti Ilir Meta shprehu solidaritetin me popullin amerikan dhe shtoi se “Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë”.
Meta konfirmoi angazhimin e vendit, si anëtar i NATO-s, në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe autoritarizmit.
Ai shprehu mirënjohje edhe për forcat ushtarake shqiptare që luftuan në Afganistan dhe nderoi kujtimin e Kapiten Feti Voglit.
Kryeministri Rama shkruajti në rrjetet sociale e konsideroi 11 shtatorin si diten e sulmeve të barbarisë kundër qytetërimit tonë.
“Sot e përgjithmonë, 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë. #GodBlessAmerica,” shkruan Rama.
Ndërsa, kreu i Partisë Demokratike Basha, në një postim në rrjetin Twitter, u solidarizua me familjet e viktimave, duke i konsideruar sulmet si luftë ndaj vlerave të lirirsë, demokracisë dhe bashkëjetesës.
Ai shtoi se Shqipëria qëndron “në krah të partnerit strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, që na bashkojnë në aleancën dhe miqësinë e vecantë mes dy kombeve tona.”
Kryeparlamentarja e sapozgjedhur, Lindita Nikolla e quajti 11 shtatorin një ditë që ndryshoi historinë, por edhe bashkoi gjithë vendet paqedashëse rreth Amerikës.
“Terrorizmi është një “pandemi”, kundër të cilës duhet të luftojmë të gjithë,” shkruan Nikolla, duke shtuar se duhet të jemi krenar që jemi rreshtuar në krahun e duhur të historisë.
Sulmet e 11 shtatorit ishin një seri prej katër sulmesh terroriste, të koordinuara nga grupi islamik terrorist al-Kaeda kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mëngjesin e së martës, 11 shtator 2001.