
Sekretari amerikan i Shtetit Majk Pompeo ka anuluar vizitën në Europë pasi ministri i jashtëm i Luksemburgut dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk pranuan ta takonin atë, raporton Reuters.
Anulimi i vizitës vjen disa ditë pas sulmimit të Kapitolit të SHBA nga mijëra mbështetës të Presidentit Donald Trump, një sulm që solli reagimin e shumë udhëheqësve botërorë dhe aleatëve të SHBA.
Pompeo kishte kërkuar të takonte Jean Asselborn në Luksemburg, përpara se të takonte udhëheqësit e BE në Bruksel, kanë thënë burimet e Reuters. Pompeo pritej të takohej edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Pompeo ka dënuar dhunën e kryer nga mbështetësit e Trampit në Kongres, ku mbetën të vdekur pesë persona.