PPE i bën thirrje shumicës dhe opozitës të dialogojnë për zgjidhjen e krizës

PPE i bën thirrje shumicës dhe opozitës të dialogojnë për zgjidhjen e krizës

Partitë e qendrës së djathtë europiane miratuan sot një rezolutë për Shqipërinë, ku shprehin mbështetje për zgjidhjen e krizës politike përmes dialogut dhe miratimin e një reforme elektorale që i hap rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

PPE, pjesë e së cilës është dhe Partia Demokratike,  hartoi 10 pika me rekomandime dhe detyra për Shqipërinë për një demokraci funksionale, duke e vënë theksin tek standardet themelore të demokracisë: zgjedhjet e lira e të ndershme dhe drejtësia e pavarur.

Rekomandimet e PPE-së bazohen mbi rekomandimet që ka dhënë më parë OSBE/ODIHR për zgjedhjet dhe Këshillit Europian për nevojën për reformimin e vendit.

Exit sjell në mënyrë të përmbledhur 10 pikat e rezolutës së PPE-së për Shqipërinë:

1. Nxit shumicën dhe opozitën të dialogojnë për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike;

2. Nxit hartimin e një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme;

3. Nxit zbatimin e reformës elektorale, në dobi të demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve demokratike qendrore dhe lokale në Shqipëri;

4. Shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese, që më pas do të vendosë për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, dhe Gjykatës së Lartë;

5. Nxit hetimin e zyrtarëve të lartë dhe kujtdo që është përfshirë në blerjen e votave, krime elektorale dhe ka lehtësuar përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje;

6. Nxit largimin e personave me rekorde kriminale që kandidohen për poste në institucione apo emërohen si funksionarë publikë në shkelje të hapur të Ligjit të Dekriminalizimit;

7. Nxit Shqipërinë që të ngrejë Strukturën e specializuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar për vepra të ndëshkueshme nga procesi i vetingut;

8. Nxit luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave;

9. Bën thirrje për progres të prekshëm në reformën e administratës publike, si një nga çështjet kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj për integrimin në BE;

10. Mbështet Partinë Demokratike të Shqipërisë në përpjekjet e saj për të adresuar shqetësimet legjitime dhe aspiratën Europiane të popullit Shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>