Qeveria shqiptare ka hartuar një projektligj të ri që shënon një hap tjetër drejt një Partneriteti Publik-Privat, me kompaninë dhe investitorët e përfshirë në marrëveshjen që i vodhën taksapaguesve maltezë miliona euro dhe nxitën një hetim ende në vazhdim.
Në projektligjin e parë nga Exit News, qeveria shqiptare paraqet një sërë dispozitash, që lejojnë spitalet private të bëhen pjesë e shërbimit kombëtar spitalor, duke përfituar kështu nga fondet shtetërore, si dhe paratë e siguruara nga partneritetet publike-private.
Neni 23 i projektligjit parashikon se “spitalet jopublike marrin fonde publike përmes financimit të paketave të shërbimit të detyrueshëm të sigurimit shëndetësor”, si dhe nga “partneritetet publike-private”.
Sipas projektligjit, përcaktohet një lloj i ri spitali, nën emrin “spital autonom”. Ky është një spital publik, që ka autonomi të plotë në mënyrën e financimit të tij, për shembull nga “burime të ligjshme jobuxhetore”. Projektligji, gjithashtu, përcakton se spitalet publike mund të financohen nga “donatorë vendas dhe të huaj”, si dhe nga qeveria dhe paratë e taksapaguesve.
Më tej, ligji thotë se “spitalet autonome publike mund të lidhin kontrata me palë të treta për ofrimin e shërbimeve shëndetësore” me miratimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Ky kthesë e papritur në këtë rrëfenjë misterioze në sektorin e shëndetësisë vjen pas një rrjeti kompleks Memorandumesh Mirëkuptimi të nënshkruara midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe Malit të Zi dhe kopmanive të drejtuara nga investitorë me reputacion jo të shkëlqyer.
Të gjitha këto hapa, që në vetvete duken të vogla, kur bëhen bashkë japin një pamje të privatizimit të korruptuar të kujdesit shëndetësor publik që, nëse zbatohet, mund të rezultojë që tatimpaguesve shqiptarë dhe malazezë t’u vidhen miliona euro përmes mashtrimit.
Në një artikull të mëparshëm, Exit News zbuloi se si në vitin 2016 qeveria malazeze nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Vitals Global Healthcare (VGH) – – një kompani pa përvojë në asnjë gjë – për ndërtimin e tri spitaleve në vend, në toka në bregdet.
Menjëherë pas kësaj, një investitor i VGH-së, Shaukat Ali Abdul Gafoor udhëtoi nga Mali i Zi për në Shqipëri në janar 2017, për të negociuar një marrëveshje të ngjashme me qeverinë shqiptare. Disa muaj më vonë, në prill, Ministria e Shëndetësisë malazeze nënshkroi një memorandum me Ministrinë shqiptare të Shëndetësisë për të forcuar bashkëpunimin midis “organizatave që veprojnë në fushën e shëndetit në të dy vendet”. Kjo marrëveshje ishte për dy vjet, por e rinovueshme automatikisht për dy vite të tjera, deri në një afat të pacaktuar.
Pak muaj pas memorandumit, në Maltë, Vitals Global Health falimentoi, pavarësisht se mori një koncesion për të drejtuar tri spitale shtetërore, me vlerë 7 miliardë euro, dhe përfitoi mbi 50 milionë euro para nga taksapaguesit. Koncesioni miliarda eurosh u mor më pas nga Steward Healthcare, për çmimin e volitshëm prej vetëm 1 euro. Ministrat e përfshirë në negociimin e marrëveshjes tani po hetohen penalisht për pastrim parash, mashtrim dhe organizimin e skemave të rryshfetit – ku çmimi i një kontratë publike fryhet artificialisht në mënyrë që zyrtarët e lartë të marrin mbrapsht një pjesë të parave.
Më pas në qershor 2017, Shaukat Ali Abdul Gafoor erdhi sërish në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës dhe dyshohet se qëllimi i vizitës ishte takimi me zyrtarë të lartë të qeverisë. Vizita e tij e fundit ishte në maj 2018, ndërkohë që në Maltë emri i tij po lidhej nga The Shift News me akuza për korrupsion në nivele të larta. Portali investigativ zbuloi se Gafoor, Tumuluri dhe investitorë të tjerë ishin të përfshirë në të dyja kompanitë, VGH dhe Steëard, çka do të thotë se ata përfituan miliona euro nga shitja dhe blerja e kontratës, në kurriz të taksapaguesve maltezë.
Pasi përfundoi shitja te kompania Steward, Mali i Zi nënshkroi një memorandum të ri me Steward, që përmbante shumë nga të njëjtat dispozita si ai i mëparshmi me VGH-në. Marrëveshja me Shqipërinë nuk ishte e nevojshme të ndryshohej, dhe kompania Steward tani ishte e lirë të ndiqte planet e saj për një spital në Vlorë, pa u vënë re nga askush.
Në këtë pikë, Tumuluri vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me zyrtarë të qeverisë në gusht dhe nëntor 2018, dhe më pas në shkurt 2019. Teksa bisedimet me zyrtarët e qeverisë dukej se po shkonin mirë, sipas një zyrtari të lartë të qeverisë Rama, ligjit i duheshin bërë ndryshime.
“Ligji për Shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë” krijon një mjedis ku linjat, që duhet se ndajnë se kush financon dhe çfarë financon, nuk janë shumë të qarta, dhe një mjedis ku gjendja prej kohësh e mjerueshme e sistemit shëndetësor shqiptar mbetet në mëshirën e atij që jep çmimin më të lartë.
Nëse miratohet, ky ligj do të lejojë që kompania VGH / Steward të marrë cilindo spital publik ose të hapë spitale private, pavarësisht se ata janë nën hetim në një shtet tjetër, ku projekti i tyre nuk ishte aspak i suksesshëm.
Ky artikull u punua me mbështetjen e Journalismfund.eu.
Në bashkëpunim me The Shift News.