Qeveria shqiptare duket se po negocion një Partneritet të ri Publik-Privat (PPP), të cilin synon ta mbajë jashtë vëmendjes së publikut.
Përmes një rrjeti kompleks memorandumesh mirëkuptimi, kompanish offshore dhe investitorëve të fshehur, duket se qeveria shqiptare po planifikon të shesë spitale publike tek një entitet privat, i cili ka çuar në humbjen e parave të miliona taksapaguesve në Maltë, dhe ka sjellë akuza për rryshfete ndaj qeverisë, mashtrim, dhe një hetim penal.
Historia fillon në vitin 2015 kur Ram Tumuluri, një qytetar kanadez me origjinë pakistaneze me një histori të paaftësisë paguese, borxhe dhe mashtrime, filloi të mburrej se po punonte me qeverinë e Shqipërisë për një spital me 400 shtretër, dhe me qeverinë e Malit të Zi për një spital me 300 shtretër. Asokohe nuk ia vuri kush shumë veshin, derisa gazetarët në Maltë filluan të vinin në dyshim një marrëveshje ku Tumuluri ishte përfshirë si investitor te konsorciumi Vitals Global Health (VGH).
Ç’është konsorciumi Vitals Global Health?
VGH ishte një kompani për kujdesin shëndetësor me qendër në Maltë, e cila, pa ndonjë përvojë paraprake në asnjë gjë, fitoi një koncesion 99-vjeçar për të menaxhuar tri spitale malteze, me një kontratë me vlerën marramendëse prej 7 miliardë eurosh.
Qeveria malteze u përpoq ta shiste idenë e PPP-së duke thënë se nuk kishte para të mjaftueshme për t’i përmirësuar vetë spitalet. VGH duhej të bënte të gjitha investimet dhe më pas disa viteve duhet t’ia jepte me qira qeverisë shtretërit e spitaleve dhe shërbimet në ta.
Qeveria i dha më pas konsorciumit VGH 51 milion euro nga paratë e taksapaguesve maltezë, me këstin e fundit të shpallur vetëm një ditë përpara se të VGH të njoftonte se kjo kompani do t’i shitej kompanisë amerikane Steward Health.
Pavarësisht se mori dhjetëra miliona euro nga taksapaguesit, VGH nuk zbatoi asnjë premtim të vetëm, siç sigurimi i shtretërve shtesë në spitalet shtetërore, rinovimi i ambienteve të ndryshme, apo edhe pagimi i pagave me paratë e tyre.
Portali investigativ maltez The Shift News zbuloi atëherë se një ndër kompanitë kryesore në konsorciumin VGH po përballej me akuza falimentimi në Ishujt Virgjin të Britanisë. Çuditërisht, ndërkohë që Shift po botonte artikuj në lidhje me këtë temë, ata u përballen me një mori sulmesh në internet për orë të tëra, që ndalonin hyrjen në faqen e gazetës dhe bënin të pamundur leximin e artikujve.
Ku shkuan gjithë ato para?
Jo vetëm që të gjitha paratë e dhëna VGH-së u zhdukën pa gjurmë, por kompania kishte krijuar edhe 55 milionë euro borxhe dhe i kishte lënë furnitorët pa paguar dhe në mëshirë të fatit. Qeveria e Maltës nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje se ku kishin shkuar paratë e taksapaguesve dhe se si ishte e mundur që një kompani që sapo kishte marrë në menaxhim spitalet shtetërore të falimentonte brenda vetëm 18 muajsh.
Pronarët e konsorciumit VGH ishin të fshehur prapa një rrjeti kompleks kompanish offshore në Ishujt Virgjin të Britanisë dhe në Maltë, vende ku mbulohet identiteti i pronarëve dhe nuk ka kontroll. Këto kompani u krijuan të gjitha vetëm një ditë para se VGH të nënshkruante marrëveshjen me qeverinë Maltese, ose pesë muaj para se qeveria të bënte thirrje për oferta për koncesionet e spitaleve.
Ata që ishin përfshirë në marrëveshje u zbuluan përmes një hetimi të The Shift News, dhe mes tyre kishte shtetas pakistanez, persona që kanë blerë nënshtetësi malteze, ishte zoti Shaukat Ali Abdul Ghafoor, i cili është akoma duke negociuar me qeveri të tjera në Evropën Lindore, duke përdorur të njëjtën kontratë të Maltës, për të fituar kontrata të reja, edhe pse konsorciumi nuk arriti të dorëzojë asnjë produkt në Maltë, si dhe Ram Tumuluri, i cili ka një reputacion jo dhe aq të shkëlqyer.
Dhe ja ku vjen Steward Health
Konsorciumi VGH, pa kokërr leku dhe në borxh, por në zotërim të një marrëveshjeje me vlerë mbi 7 miliardë euro, u shit te Steward Healthcare për vlerën totale 1 (një) euro. Ndërkohë që taksapaguesit maltezë humbën dhjetëra milionë euro, investitorët e fshehur pas VGH-së fituan një pasuri të vërtetë.
Investitorët e përfshirë në VGH kishin krijuar një mori kompanish në ishullin britanik Xhersi (Jersey), me qëllim që të merrnin pagesat për “komisionet” kur të shitej koncensioni. Këto kompani u mbyllën menjëherë pas shitjes së VGH-së, duke lënë të kuptohet kështu se komisionet e përfshira në kontratën e shitjes ishin paguar.
U zbulua, gjithashtu, se një nga kompanitë e përfshira në rrjetin kompleks të pronarëve dhe aksionarëve, Bluestone Ltd, kishte ende aksione te VGH-ja, që do të thotë se ajo përfitonte si nga shitja, ashtu edhe nga blerja e VGH-së.
Kur kjo doli në shesh, gjykatat malteze vendosën që ministrat e qeverisë që nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit, si dhe ata që negociuan marrëveshjen do t’i nënshtroheshin një hetimi penal. Çështja është ende nën hetim.
Ç’është kompania Steward Healthcare?
Steëard Healthcare është rrjeti më i madh i kompanive private për kujdesin shëndetësor në SHBA. Ata nuk kanë qenë gjithnjë larg polemikave, dhe tani janë në vështirësi në SHBA, pasi akuzohen për shkelje të ligjit të punës në Masaçusets dhe se nuk kanë dhënë pasqyrat e auditeve financiare për dy vjettët e fundit, siç kërkohet nga ligji. Pasi u gjobitën nga qeveria, ata përsëri nuk pranuan as gjobat dhe as t’i dorëzonin pasqyrat financiare. Më pas ata paditën shtetin e Masaçusetsit, në përpjekje për ta mbajtur të fshehur infomacionin për financat e tyre.
Gjithashtu u zbulua se kompania raportoi një humbje prej 270 milion dollarësh në vitin 2018, dhe 322 milion dollarë në 2017, ndërsa të gjitha spitalet e tjera në zonë patën fitime të mëdha. Për më tepër, fondet federale që ata morën nga qeveria nuk dukej se shkonin për të paguar pagat, apo pr të përmirësuar spitalet dhe kushtet për pacientët dhe stafin.
Nuk duket si muzikë e njohur kjo?
Ç’hyn Shqipëria në këtë mes?
Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se po i zhvasnin qytetarët maltezë, dhe se herët a vonë do të zbuloheshin dhe dëboheshin, ishte e rëndësishme që çdo marrëveshje në Ballkan të kalonte pa i rënë në sy publikut dhe medias. Emri VGH ishte njollosur dhe, pasi The Shift News publikoi investigimin për marrëveshjen dhe Steward Healthcare, qeverisë shqiptare i duhej të hynte nga dera e pasme.
Më 26 gusht 2016, qeveria e Malit të Zi nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Vitals Global Health (VGH) dhe vetëm tetë muaj më vonë, më 3 prill 2017, Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi nënshkroi një memorandum mirëkutimi me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, për të “nxitur bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, frymëzuar nga parimet e përfitimit të barabartë dhe të ndërsjellë.”
Në memorandum palët, gjithashtu, bien dakord të “nxisin kontaktet mes instituteve, spitaleve dhe organizatave që veprojnë në fushën e shëndetit në të dy vendet”.
Kjo përfshin edhe “forma të tjera bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë”, “menaxhimin e objekteve të shëndetit” – gjuhë jo pa qëllim e papërcaktuar.
Memorandumi ishte i vlefshëm për dy vjet dhe rinovohet automatikisht për dy vjet të tjera.
Ndërsa pronësia në Maltë ndryshoi në vitin 2018 nga VGH te Steward Healthcare, qeveria malazeze nënshkroi një marrëveshje tjetër, këtë herë me Steward Healthcare, që përmbante shumë prej të njëjtave dispozita si memorandumi i mëparshëm.
Në vitin 2019, pas një kërkese për informacion të bërë nga Exit, qeveria në fakt mohoi të kishte ndonjë marrëveshje me Vitals Global Health apo me ndonjë kompani të lidhur me të.
Me memorandumin mes qeverisë malazeze dhe VGH/Steward, pasuar nga memorandumi mes qeverisë shqiptare dhe malazeze, VGH/Steward e kishte tani derën e hapur për të negociuar marrëveshje në Shqipëri, përmes Malit të Zi, pa rënë në sy.
Në artikullin tjetër do të zbulojmë më shumë rreth PPP-së shqiptare, si dhe veprimtarinë e dyshimtë të VGH dhe Steward në Maltë dhe Mal të Zi.
Ky artikull u punua me mbështetjen e Journalismfund.eu