Kuvendi ka vendosur se për të fituar një vend në Kuvend, një parti politike duhet të arrijë të marrë një përqindje të caktuar votash popullore, pra duhet të kalojë një prag elektoral kombëtar.
Deri tani nuk ka patur prag kombëtar por vetëm zonal: një forcë politike duhet të marrë më shumë se 3 për qind të votave në një zonë elektorale që të lejohet të ketë në Kuvend një deputet nëse ka fituar një të tillë në atë zonë.
Ky prag ka qenë në fakt pa asnjë ndikim pasi pragu natyral për të fituar një deputet në të gjitha zonat elektorale ka qenë më i lartë se aq—me përjashtim të Tiranës në çdo zonë tjetër elektorale është kërkuar nga 5 përqind deri në rastin e Kukësit mbi 30 për qund për të fituar një deputet në atë zonë. Edhe në rastin e Tiranës, një deputet është fituar me pak më shumë se 3 për qind në të shkuarën, por ku prag natyral pritet të ulet me rritjen e numrit të deputetëve që do t’i përkasin zonës së Tiranës në zgjedhjet e ardhëshme.
Krejt ndryshe është situata nëse do të vendoset një prag kombëtar. Ende nuk dihet sa do të jetë ky prag—normat më të zakonshme në botë janë 3-5%, por variojnë edhe nga 1 deri në 12%—por ai do ta bëjë të vështirë futjen në Kuvend të partive të vogla.
Le të supozojmë se pragu elektoral do të jetë 3 për qind. Në këtë rast mund të ketë parti që arrijnë të fitojnë deputetë në disa zona elektorale pa arritur 3 për qind të votave në nivelin kombëtar, duke e bërë kështu më të vështirë uljen në Kuvend të partive të reja.
Kështu për shembull me rreth 4 për qind të votave në zonën e Tiranës mund të merret një deputet, por këto vota në nivel kombëtar bëjnë më pak se 3 për qind (nëse partia nuk merr vota në zona të tjera) dhe si rezultat partia përkatëse nuk mund të fitojë deputetin që ka fituar me votë në zonën e Tiranës.
Në fakt sa më i lartë që të jetë pragu kombëtar aq më ndalues do të jetë ai për partitë e vogla apo të reja për të hyrë në Kuvend. Sa për të krijuar një ide, me përjashtim të PS-së, PD-së, LSI-së dhe PDIU-së asnjë parti tjetër nuk arriti të marrë as 2% të votave në zgjedhjet e shkuara—më e afërta ishte Partia Libra e Ben Blushit e cila mori rreth 20 mijë vota ose rreth 1,2 për qind të votave në rang vendi.
Saktësimi i pragut do të bëhet në Kodin Zgjedhor, i cili do të ndryshohet s pjesë e reformës zgjedhore.