Prania e ekzagjeruar e Turqisë është rrezik për të ardhmen e Shqipërisë

Nga Dashamir Shehi
Prania e ekzagjeruar e Turqisë është rrezik për të ardhmen e Shqipërisë

Fatkeqësisht javës tjetër nuk kam qënë këtu kur Kryeministri ynë i nderuar, nisur dhe nga gjatësia e trupit dhe nga lartësia kulturale, është shprehur këtu për një sërë gjërash kundër meje.  Me një inat dhe një paudhësi të padëgjuar më parë, dua t’ía shpjegoj nga i buron kjo.

Unë kam kundërshtuar ndërtimin e aeroportit në Vlorë për dy principe: Një, sepse gjykoj që është një vepër puro korruptive, si shumë nga këto që u diskutuan sot.

Por sikur të ishtë thjesht korruptive, sikur të ishte që qeveria dhe qeveritarët po marrin një grusht tjetër parash siç kanë marrë përditë këtu, edhe nga këto që diskutuam sot, nuk do shqetësohesha kaq shumë se nuk është ndonjë hata e madhe. U mesuam me hajdutllëkun.

Por më shqetëson një gjë tjetër shumë më e rëndësishme për Shqipërinë, për të ardhmen europiane, për linjën pro perëndimorë të Shqipërisë. Më shqetëson në sektorin strategjik një prezencë turke e ekzagjëruar.

Unë do tju dukem njeriu më budalla, më arrogant që po them këtë në një vend, i cili në mënyrë tradicionale ka një simpati ndaj Turqisë. Absolutisht që e kam dhe une dhe nuk dua të ofendoj kolegët tanë turqë dhe as te jemi mosmirënjohës për ato që kanë bërë për Shqipërinë.

Por duke qënë shqiptar dhe duke folur për të ardhmen e Shqipërisë, gjykoj që prezenca në sektorët strategjikë është e tepruar dhe çdo ndërhyrje tjetër do të ishte në rrezik të Shqipërisë.

Këtë kam thënë, e them si burrat, po ua përsëris dhe nuk tërhiqem nga kjo dhe e them sepse i kemi te bankat, te porti, tani do i kemi edhe te aeroporti. I kemi te siderurgjia, te metalurgjia, energjia, arsimi, telekomunikacioni. Të gjitha këto ia kemi lënë nga një copë miqve tanë shmë të respektuar turq.

Por unë them që ka ardhur dita që ti themi ndal me këtë punë. Ky vend ka një prirje europiane, ka një tendencë për të parë nga perëndimi. Këtu edhe dy kompani që ishin perëndimore, gjermanët e aeroprtit dhe kanadezët e naftës i përzumë dhe i zëvendësuam me kinezë, a indonezianë, a malajzianë.

Nuk e di se c´janë se nuk i kemi parë ndonjëherë. Dhe unë them që kjo rrugë e vetizolimit shqiptar, e kthimit të kokës prapa te Perandoria otomane nuk i shërben këtij vendi. Dhe kjo është një tezë shumë e madhe. Do përplaseni ju të gjithë këtu, bashkë me mua vitet e ardhshme. Është dhe një tezë e rrezikshme politikisht.

Qesh ndonjëri në sallë sepse mund ti presin e ti përcjellin të bijën në Stamboll e Ankara, por kjo nuk i shërben Shqipërisë. Turqia e sotme është një vend që po rrëshqet ne autoritarizëm, por kjo është punë prap për to. Po vesh gratë me ferexhe, por kjo është punë prap për to. Nuk bën zgjedhje demokratike, por kjo është punë prap për to.

Por Turqia që lidhet me Rusinë e me Sirinë, është punë për ne, se ne duam të shohim nga perëndimi dhe jo andej. Turqia e cila na konsideron ne thjesht popullsi myslimane në Europë, është punë për ne. Nuk duhet ta lejojme.

Tani ky kryeministri ynë e shet dhe e blen Shqipërinë si të ketë qejf vetëm e vetëm që të rrijë në pushtet. Dhe ka kurajon që të tallet me cfarëdolloj kolegu që mendon ndryshe. Dhe e di pse i ka djegur kjo? Sepse po i marrin flamurin e oksidentalizimit. Sepse vetëm ky me atlete të bardha meriton të jetë perëndimor këtu. Ne të tjerët jemi turkoshakë.

Sidomos ne të Tiranës hamë plënca, hamë groshë. Ai ha haviar, ai aristokrati. Kështuqë i kemi marrë flamurin se ky nuk ka asnjë lidhje me perëndimin. Nuk ka perëndimi kryeministër autoritar, karagjoz si ky këtu, që tallet gjithë ditën jo thjesht me opozitën por me shqiptarët.

Ky është turku i vetëm që ka mbetur në këtë komb. Është turp që na qeveris ky njeri. Për këtë vriteni mendjen. Ska gjë le të thotë për mua që hakam groshë e që hakam plënc se ska asgjë të keqe. Nuk fëlliqem fare nga kjo punë. Mjafton ti shërbej vendit tim, dhe i kam shërbyer ndershmërisht 27 vjet.

Im atë ka mbaruar në Torino, nuk ka mbaruar ku mbaronte babai këtij, te stepat e Rusisë. Këta janë thjeshtë këlyshat e komunizmit. Nuk e duan Shqipërinë këta. Këta duan ta shesin, ta blejnë Shqipërinë për interest. Dhe kushdo që i del kundër është turkoshak, është anadollak, është grekofon.

Ia vënë emrin si tu teket këtyre. Ky është realiteti. Mendohuni për këtë realitet se nuk është gjë për të qeshur. Do përplaseni me një realitet që do jetë shumë më I ashpër pastaj. Unë ju bëj ftesë të reflektoni. Ne jemi këtu për gjëra srioze supozohet, se nuk është fare e vërtetë.

Që ne jemi këtu burra shteti dhe do mendojmë për Shqipërine. Nëse është këtu për të thënë batuta për plënc e për raki, unë atë e lë prapa 200 vjet. Është nxënësi im për këtë punë ai.  Më merrte edhe në telefon të më pyestë. Mirëpo nuk jemi këtu për këtë punë. Jemi këtu për të menduar për punët e Shqipërisë, gjithësekush sipas mënyrës së vet, sipas krahut të vetë, por në një dialektikë normale, si një shtet normal. Ku jemi këtu, shteti i karagjozëve?!

Kështuqë ju vazhdoni si të keni qejf. Unë do i qëndroj kësaj linje. Besoj që i bëj shërbim vendit tim, pastaj ju flisni sa të doni për ato punët e stomakut. Ju faleminderit!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>