Precedenti i rrezikshëm që po vendoset për lirinë e mediave në Shqipëri

Nga Alice Elizabeth Taylor
Precedenti i rrezikshëm që po vendoset për lirinë e mediave në Shqipëri

Pasi shkruajta për dyshimet dhe provat publike për korrupsionin në Shqipëri dhe motivet e protestës së opozitës dhe dorëzimit të mandateve të ish-deputetëve, një sërë portalesh pranë qeverisë më sulmuan. Në artikuj që tani cilësohen si ‘jo etikë’, ‘të shkruara për të frikësuar gazetarët’, pa fakte të sakta dhe si nxitës të dhunës, unë u akuzova se jam agjente ruse dhe në një marrëdhënie me një militant të dhunshëm të opozitës.

Më pak se një javë pasi u bënë këto akuza ndaj meje, vendimi për të miratuar lejen time të qendrimit u refuzua dhe autoritetet që refuzuan lejen, nuk pranuan të më jepnin vendimin e shkruar siç parashikon ligji shqiptar.

Si gazetare dhe reportere, unë shkruaj dhe raportoj fakte. Unë raportoj për atë që është në lajme, çfarë ndodh rreth meje, dhe i referohem burimeve, provave dhe dëshmisë së atyre që janë përfshirë në ngjarje. Bërja e kësaj pune është jo vetëm puna dhe profesioni im, por është e mbuluar dhe nga e drejta ime themelore për lirinë e fjalës dhe shprehjes. Për më tepër, liria e medias është një ndër kërkesat kryesore të Bashkimit Europian, si dhe një element thelbësor i një demokracie funksionale dhe të shëndetshme.

Fakti që unë u sulmova përmes një fushatë publike shpifjesh vendos një precedent të rrezikshëm për gazetarët e huaj që janë aktualisht në Shqipëri apo që duan të mbulojnë çfarë ndodh këtu në të ardhmen.

Shqipëria dëshpërimisht kërkon të integrohet në BE dhe qeveritë prej vitesh po mundohen ta arrijnë këtë gjë. Kjo do të thotë se nga tani e tutje, qeveria do të jenë nën shqyrtimin intensiv të medias lokale, e veçanërisht atij ndërkombëtar.

Kanë përfunduar ditët kur lajmet për atë që ndodh në Shqipëri raportohen vetëm në gjuhën shqipe – teksa vendi lëviz drejt skenës ndërkombëtare është e natyrshme që çdo gjë që ndodh të analizohet, kritikohet dhe vlerësohet nga gazetarë nga e mbarë bota. Këta gazetarë do të flasin shumë gjuhë të ndryshme dhe do të shkruajnë nga prespektiva të paanshme, por dhe të anshme. Disa do të jenë liberal, disa të tjerë socialistë, demokratë, të djathtë, të qendrës, disa mund të jenë fashistë dhe disa të tjerë mund thjesht të rrinë në cep e të mos mbajnë asnjë qëndrim.

Tani Shqipëria është në qendër të vëmendjes së shtypit ndërkombëtar dhe si e tillë, çdo veprim që bën dhe çdo incident që ndodh këtu ka të ngjarë të raportohet me detaje në një një sërë mediash ndërkombëtare. Kjo do të thotë se do të ketë më shumë korrespondentë të huaj këtu, më shumë vizita nga gazetarët ndërkombëtarë dhe më shumë gazetarë vendas që raportojnë për platformat mediatike të huaja.

Por çfarë ndikimi do të ketë sulmi ndaj meje, në perceptimin e Shqipërisë si një shoqëri e lirë ku gazetarët janë të lirë të kryejnë punën e tyre? Mendoj se ndikimi nuk do të jetë i mirë.

Rasti im tashmë është raportuar nga Këshilli i Evropës dhe dy nga organizatat më të mëdha të gazetarisë në botë (IPI dhe IFJ), si dhe sindikata më e madhe e gazetarëve në Evropë (EFJ), – u bashkuan me deklaratën e KiE-së. Sulmi ndaj meje gjithashtu është dënuar në nivel lokal nga dy shoqata të medias dhe një organizatë mbikëqyrëse. Gazetari britanik që punonte për The Guardian, Neil Clark, i cili gjithashtu bashkë me mua komentoi situatën në Shqipëri në televizionin rus, shprehu mbështetjen e tij për mënyrën se si po e luftoj këtë fushatë shpifjesh.

Në një klimë globale ku qeveritë janë gjithnjë e më tepër nën presion për të respektuar të drejtat e gazetarëve – kjo është një fushatë e keqe që Shqipëria nuk mund të përballojë.

Për më tepër, kjo situatë rrit rrezikun për gazetarët e huaj apo lokalë në të ardhmen. Ata që do të duan të vijnë në Shqipëri për të raportuar mbi çështjet aktuale, ose ata që mund të duan të punojnë si korrespondentë lokalë, do ta bëjnë këtë punë në një klimë frike. Ata do të shohin mënyrën se si unë u  sulmova në mënyrë të paligjshme dhe do të mendohen mirë para se të raportojnë për faktet dhe ngjarjet që janë tashmë publike, apo para se të kryejnë vetë hetimet.

Ajo që më ka ndodhur mua dhe gazetarëve të tjerë shqiptarë është shenjë e një problemi serioz në këtë vend dhe liria e medias po bie në mënyrë alarmante. Le të mos harrojmë se Kryeministri Rama  po kërkon të vërë çdo portar dhe blog në vend nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë, duke ushtruar pushtetin për t’i mbyllur ato menjëherë pa u realizuar asnjë proces ligjor. Kjo nuk është e pranueshme dhe për më tepër, është edhe anti-evropiane dhe antidemokratike.

E di fare mire se disa nga tregtarët e thashethemeve janë ish-punonjës të regjimit komunist, por ato kohë kanë kaluar tashmë dhe bashkë me të dhe ditët kur mund të kontrollonin se kush i tha çfarë kujt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>