Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) i kërkuan sot Bashkisë Tiranë informacion zyrtar për vendimmarrjen dhe procedurat e ndërmarra deri më tani për projektin e teatrit.
Dhjetëra artistë, qytetarë dhe aktivistë të AMT-së, u vendosën përpara Bashkisë ndërsa avokati Dorian Matlija paraqiti në zyrën e informacionit kërkesë të protokolluar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Ai tha se AMT ka pritur rreth 2 muaj përgjigje për një kërkesë të mëparshme për informim rreth çështjes së teatrit, por ende deri sot nuk ka pasur përgjigje. Duke theksuar se e drejta e informimit është e drejtë e garantuar me ligj, zoti Matlija tha se Bashkia Tiranë duket se po e pengon qëllimisht informimin.
“Kemi të bëjmë me qëndrim të qëllimshëm që nuk jepet informacion, nuk është se nuk jepet për neglizhencë apo për gafa, (Bashkia Tiranë) nuk ka fare qëllimin ta japi (informacionin)… dhe kjo fshehtësi duhet parë në kontekstin e gjithë çështjes së teatrit.”
Çështja e Teatrit Kombëtar po kalon në mungesë të plotë informacioni. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka deklaruar disa herë se do të vazhdojë me shembjen e teatrit dhe dhënies për ndërtim privatëve, të cilët ofrohen ta ndërtojnë në shkëmbim të një pjese të pronës dhe lejes për ndërtim kullash.
Prej dy vitesh ky projekt i mbështetur me ligj nga qeveria është kundërshtuar. Presidenti Meta e ka dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, e cila sot pranoi ta shqyrtonte atë, ndërkohë që në korrik u njoftua hapja e tenderit.
Tenderi kishte afat deri në shtator, por asgjë nuk është bërë e qartë për publikun se kush ishin pjesëmarrësit, klasifikimi i ofertave apo fituesi. Aktivistët e AMT-së, dyshojnë se Bashkia ka shpallur në mënyrë të fshehtë kompaninë fituese që do të ndërtojë godinën e re të Teatrit Kombëtar.