Presidenca dhe Kuvendi do të ngrenë një grup ekspertësh për të filluar sa më parë punën për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve urgjente për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim u mor gjatë takimit të presidentit Meta me kryeparlamentarin Ruçi, paraditen e 30 qershorit.
Në një njoftim për median, presidenca sqaron:
´Presidenti Meta dhe Kryetari Ruçi ranë dakord për nisjen e menjëhershme të punës nga ekspertët e të dy institucioneve për identifikimin e të gjitha çështjeve që kërkojnë trajtim urgjent dhe afat-mesëm, dhe dakordësimin e masave që do të duhet në ndërmerren në zbatim të tyre.´
Takimi mes Metës e Ruçit erdhi pasi në 19 qershor, Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit Meta në të gjitha veprimet e tij dhe rrëzoi veprimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në lidhje me konfliktin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK).
Për më shumë se dy vite, Gjykata Kushtetuese është jofunksionale. Aktualisht gjykata ka vetëm 4 nga 9 antarë dhe nuk merr dot asnjë vendim.