Presidenca: Hoti nisi dialogun në nivel teknik, kjo i intereson Serbisë

Nga Exit News
Presidenca: Hoti nisi dialogun në nivel teknik, kjo i intereson Serbisë

Pas PDK-së, edhe këshilltari kryesor i Presidentit Thaçi, Bekim Çollaku ka kritikuar strategjinë e kryeministrit Hoti për bisedimet me Serbinë, rinisur në Bruksel, në 16 korrik.

Sipas Çollakut, Hoti ka lejuar rinisjen e dialogut në nivel teknik, siç i intereson Serbisë, dhe jo në nivelin politik, siç është në interesin e Kosovës.

Në një postim në Twitter, Çollaku shkruan:

“Rinisja e dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja nuk është në interesin e Kosovës.

Ai është dizajnuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve për pranimin e Serbisë në BE, teksa e lë Kosovën të izoluar dhe në status quo.

Qëllimi duhet të jetë marrëveshja përfundimtare politike me njohje reciproke.”

Deklarata e Çollakut vjen pas njoftimit nga vetë Hoti se në takimin me  presidentin serb Vuçiç  u bisedua për çështjen e personave të zhdukur dhe për ekonominë, si dhe njoftimit se dy ekipet teknike të vendeve do të takohet në 22 korrik për të diskutuar detajet teknike.

Më herët dhe PDK-ja e kritikoi qasjen e Hotit në bisedime.

Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj tha se qeveria e Hotit ende nuk ka një strategji dhe platformë për bisedimet ndaj pjesëmarrja e Hotit në takim ka qenë e nxituar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>