Presidenca i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese, GJK caktimin e një seance të tjetër shqyrtimi për padinë e Presidentit Meta për ligjin special të Teatrit Kombëtar.
Këshilltari juridik i president, Bledar Dervishaj i kërkoi GJK të marrë prova shtesë për çështjen e Teatrit, të tilla si kopje e kalimit të trualli të teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë nga Ministria e Kulturës. GJK po shqyrton sot padinë e Metës për shfuqizimin e ligjit special të Teatrit Kombëtar, të shembur më 17 maj 2020.
Meta e paditi qeverinë në GJK më 14 maj 2020, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të kalimit të truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë.
Ai pohoi se vendimi i qeverisë synon të zhdukë trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar. Vendimi përmban të njëjtën problematikë kushtetuese si ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Meta u shpreh se të dy aktet shprehin qartë të njëjtin qëllim: prishjen e Teatrit Kombëtar.
Këto akte duhen shfuqizuar sepse shkelin Kushtetutën, parimet kushtetutese dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara.
Presidenti argumentoi se vendimi i qeverisë shkel dhe Ligjin për Qeverisjen Vendore. Bashkia ka për qëllim ruajtjen dhe zhvillim e trashëgimisë kulturore, por s’mund të vendosë për fatin juridik të tyre.
Më 25 korrik 2019, Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese padinë e parë kundër qeverisë dhe bashkisë dhe kërkoi shpalljen si antikushtetues të ligji për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Për shkak të mosegzistencës së Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit vendosi ta marrë çështjen në shqyrtim vetëm në fund të vitin 2019.
Më 30 dhjetor 2019, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese i kërkoi Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë e Tiranës të japin argumentet e tyre për se kanë hartuar dhe miratuar këtë ligj special. Çështja nuk është shqyrtuar ende në GJK.