Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli ka shprehur shqetësim në lidhje me situatën e drejtësisë në vend. Në mënyrë të veçantë ai ka denoncuar problemet që i shkaktohen demokracisë në vend nga shpërbërja e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi i Gjykatës së Lartë.
Gjatë një takimi të Asamblesë Politike të PPE-së, sot në Varshavë, Tsereteli pohoi:
“Sapo jam kthyer nga një vizitë në Shqipëri, ku u takuam me të gjithë drejtuesit e vendit dhe me kryetarin e opozitës. Ne pamë një situatë të ndërlikuar me reformën në drejtësi, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër drogës e krimit të organizuar. Ne besojmë se përveç kësaj, reforma zgjedhore është vendimtare. Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, e njejta situatë me Gjykatën e Lartë. Me të gjitha këto është shumë e vështirë të mbahet demokracia. Ndaj vëmendja e BE-së, e institucioneve të BE-së dhe e OSBE-së janë shumë të rëndësishme.”
George Tsereteli është politikani i parë, i cili ngre problemin e bllokimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri si pasojë e mos krijimit në kohë të institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi.
Gjithashtu, ai ka risjellë në vëmendjen publike rëndësinë e kryerjes së reformës zgjedhore, për të shmangur krizat politike që burojnë kryesisht nga mungesa e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira.
Deri tani përpjekjet për një reformë zgjedhore kanë dështuar.