Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur për investimet që pritet të përfitojë Shqipëria dhe rajoni pas marrëveshjeve të kohëve të fundit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhoma Amerikane e Tregtisë i sheh me optimizëm marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri – SHBA.
Këtë të fundit, Jaço e quan si një nga marrëveshjet më të rëndësishme që nga vitet 90, sa i përket bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-amerikan.
“Tani që projektet TAP dhe Devolli janë drejt përfundimit të tyre, Skavica do të ofrojë një impuls të ri, një numër të madh punësimesh për shqiptarët dhe një mundësi pune për nën kontraktorët vendas, përfshi anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë.” – thotë zoti Jaço.
Presidenti i Dhomës Amerikane e sheh këtë investim si mundësi që Shqipëria të fitojë pavarësi energjtike, dhe t’i hapë rrugën që të jetë një lider në rajon sa i përket energjisë.
Sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, Jaço veçon projektin që lidh me infrastrukturë Serbinë me Kosovën dhe që krijon një dalje në Adriatik.
“Mund të jetë një nga portet shqiptare. Nëse ndodh, atëherë kjo e shndërron Shqipërinë në një lloj qendre në rajon sa i përket tregtisë rajonale. Mendoj se do të jetë një potencial i jashtëzakonshëm dhe do të jetë detyra e politikës dhe e sektorit privat që ta bëjë të mundur këtë realitet.” – tha zoti Jaço për VoA.