Presidenti i Dhomës Amerikane të tregtisë Enio Jaço ka deklaruar gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se situata me të cilën po përballen shtetet e botës për shkak të koronavirusit do të sjellë pasoja ekonomike edhe në Shqipëri.
“Por nuk është herët që të fillojmë të studiojmë një impuls ekonomik, – shprehet ai – për mënyrën se si do ta përballojme situatën që do të kemi nga koronavirusi”.
Sipas kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ka një ndërgjegjësim të biznesit, opinionit publik por edhe faktorit ndërkombëtar në vend për nevojën e menjëhershme të adresimit të korrupsionit.
“Së pari, kemi opinionin popullor i cili është i tejngopur me klimën e përkeqësuar të korrupsionit por gjithashtu kemi edhe faktorin ndërkombëtar, i cili është ndërgjegjësuar shumë kohët e fundit dhe ka kuptuar se pa luftuar korrupsionin në Shqipëri nuk mund të bëjmë dot progres politik të qëndrueshëm.”
Aftësitë e qeverisë shqiptare pritet të testohen edhe në menaxhimin e fondeve të mbledhura për rindertimin pas tërmetit dhe kjo, sipas Jaços, do të kërkojë kapacitete më të larta se qeveria ka treguar derimë tani.
“Është e rëndësishme të ndajmë pjesën e kredisë nga donacionet. Shteti shqiptar ka një eksperiencë në menaxhimin e kredive ndërkombëtare dhe nuk besoj se do të jetë problem, por është për t’u parë se çfarë ndikimi do ketë në borxhin shqiptar. Nga ana tjetër, në lidhje me grantet ka pak më pak eksperiencë dhe këtu kërkohen disa kapacitete zbatuese më të larta nga ato që ka demonstruar deri tani.”
Mbi amnistinë fiskale të paralajmëruar nga qeveria shqiptare, Jaço ka rezervuar të drejtën për t’u shprehur në momentin kur ky koncept të hidhet në letër dhe të detajohet. Për kreun e AmCham qeveria shqiptare duhet të tregojë kujdes në përpilimin e draft-ligjit, për të siguruar respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ku aderon, si dhe për të zbatuar ligjin për konsultimin publik gjatë procesit të miratimit të ligjt.