Marin Mrcela, Presidenti i Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës Kundër Korrupsionit (GRECO) u ka bërë thirrje politikanëve ta zbatojnë luftën kundër korrupsionit me vullnet të sinqertë politik.
Në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, 9 dhjetor, ai theksoi se “politikanët duhet të udhëheqin me shembullin e tyre, pa kushte dhe pa hezitim”.
“Në shumë vende vërejmë korrupsion ose sjellje joetike nga vetë personat që janë përgjegjës për institucionet tona publike. Kjo ul besimin dhe respektin ndaj institucioneve të tilla, gjë që, nga ana tjetër, gërryen demokracinë dhe shtetin ligjor”, tha Mrcela.
Presidenti i GRECO-s shpjegoi se nuk është për t’u habitur që kemi parë protesta masive në disa vende anëtare, çka ai tha se është rezultat i “distances së shtuar midis njerëzve dhe institucioneve të tyre publike”.
“Kjo përkeqësohet me faktin se pritshmëritë e njerëzve për sjelljen shembullore të zyrtarëve publikë janë rritur gjatë kohëve të fundit. Demonstratat e shumta masive që zhvillohen në mbarë botën për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë janë një dëshmi për këtë”, tha Mrcela.
Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit është caktuar nga Kombet e Bashkuara dhe synon të rrisë vetëdijen për seriozitetin e problemeve dhe kërcënimeve që paraqet korrupsioni për stabilitetin e shoqërisë. Roli i GRECO-s është të monitorojë korrupsionin në të gjitha vendet anëtare të tij, si dhe të sugjerojë reforma dhe masa, që mund të zbatohen në secilin vend, për të rritur përputhshmërinë me masat antikorrupsion.
Korrupsioni nuk është çështje e kësaj apo asaj partie, këmbënguli Mrcela, duke shtuar se “asnjë person apo institucion nuk është imun ndaj korrupsionit” dhe se mënyra e vetme për ta luftuar atë është përmes vullnetit të sinqeritë politik.
“49 vendet tona anëtare duhet të zbatojnë rekomandimet tona plotësisht dhe në kohën e duhur për të krijuar kushtet e nevojshme që të parandalohet korrupsioni në nivel politik përpara se të jetë vonë dhe përpara se praktikat korruptive të ketë zënë vend”, tha ai.
Në një intervistë ekskluzive të Exit me Sekretarin Ekzekutiv të GRECO-s, Gianluca Esposito, ai bëri të qartë se “korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimi mbeten një kërcënim për Shqipërinë” dhe se reformat hyjnë në punë vetëm nëse ato zbatohen.
“Qeveria po shkon në drejtimin e duhur, por më e rëndësishmja – dhe unë po insistoj këtu – reformat janë të mira vetëm nëse ato zbatohen në mënyrë efektive dhe të duhur,” tha ai.
“Nuk është e mjaftueshme të krijosh një institucion apo organ të ri për të luftuar korrupsionin ose krimin; ata në të vërtetë duhet të kryejnë detyrat që i janë caktuar,” shtoi Esposito.
Shqipërisë i janë dhënë disa rekomandime nga GRECO, të cilat duhet t’i zbatojë brenda afateve të përcaktuara.