Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin që të lirojë nga burgu opozitarin Alexei Navalny dhe të nisë sa më parë hetimet për helmimin e tij.
Në një postim në Twitter, Michel njoftoi se ka pasur një telefonatë me Putinin, ku i ka shprehur kundërshtimin e BE-së për arrestimin e Navalnyt, në 17 janar, menjëherë sapo ai u kthye në Rusi nga Gjermania.
“Në telefonatën time me presidentin Putin, shpreha kundërshtimin e BE-së për dënimin e Alexei Navalnyt dhe kërkova lirimin e menjëhershëm të tij. Rusia duhet urgjentisht të vazhdojë me hetim të plotë dhe transparent për atentatin ndaj tij.”
Navalny u kthye në Rusi, pas kurimit për helmim në Gjermani, në 17 janar.
Menjëherë në aeroport ai është pritur nga policia, e cila e ka arrestuar. Ai akuzohet se ka shkelur kushtet e lirimit me kusht, kur është larguar për në Gjermani për tu kuruar.
Për këtë, gjykata ka vendosur që Navalny të qëndrojnë në paraburgim deri në 15 shkurt.
Vetë Navalny e ka apeluar vendimin e gjykatës.