Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio shprehet se në Shqipëri korrupsioni gjendet kudo dhe po arrin nivele alarmante. Gjatë një interviste për Vizion Plus, zoti Buquicchio theksoi se zbatimi i reformës në drejtësi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë janë të rëndësishme jo vetëm për demokracinë, por dhe për ekonominë e një vendi.
Disa nga deklaratat kryesore të Presidentit të Komisionit të Venecias Buquicchio janë:
– Në Shqipëri, korrupsioni ka kapur nivele të mëdha në të gjitha sektorët, jo vetëm në gjyqësor.
– Ligjet e reformës kushtetuese duhen vënë në zbatim. Procesi i Vettingut nuk ka nisur ende, por është e rëndësishme të ecet me shpejtësi. Populli shqiptar nuk mund të presë më për të pasur gjykatës të pavarur dhe të paanshëm.
– Është e rëndësishme që gjykatësit të jenë të paanshëm, jo të korruptuar dhe të japin vendimet ashtu siç duhet. Është thelbësore për shoqërinë shqiptare, për demokracinë në Shqipëri dhe për zhvillimin e ekonomisë.
– Nëse nuk keni gjykatës të paanshëm, nuk do të keni investime të huaja, pasi një sipërmarrës nuk vjen këtu për të shpenzuar paratë e tij për të zhvilluar ekonominë shqiptare, se në rast konflikti nuk do të ketë një vendim të paanshëm nga ana e drejtësisë.
– Kjo vlen për ekonominë, por edhe për qytetarët e thjeshtë, është e rëndësishme që gjykatësit të jenë të paanshëm, jo të korruptuar dhe të japin vendimet ashtu siç duhet.