Presidenti i Fondacionit Konrad Adenauer (KAS) Norbert Lammert kritikoi dje opozitën për vendimin e lënies së mandateve. Zoti Lammert e quajti atë një vendim të marrë për shkak të rezultatit të arritur në zgjedhjet e përgjithshme 2017. Në 10 vjetorin e Fondacionit KAS në Shqipëri, ai u shpreh se:
“Nuk më pëlqeu kur socialistët bojkotuan parlamentin sepse demokratët fituan zgjedhjet, e po aq pak më pëlqen kur demokratët bojkotojnë parlamentin sepse rezultati i zgjedhjeve nuk është në favor të tyre.”
Zoti Lammert theksoi se në situata të tilla si ajo e Shqipërisë e rëndësishme është që partitë politike të gjejnë zgjidhje mes tyre dhe jo të bojkotojnë.
Ai shtoi se një nga faktorët që po mban peng ecurinë e Shqipërisë është edhe përballja me të kaluarën komuniste.
“Ndërtimi i demokracisë në Gjermani nuk do të kishte qënë i mundur pa u përballur me të kaluarën dhe nëse s’do kishte ndodhur kjo nuk do të rifitonte pozitën e vet në botë”, u shpreh Lammert.
Në fund ai shprehu mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt Europës, por theksoi se kjo rrugë duhet përshkuar nga vetë qytetarët shqiptarë:
“Si qeveria federale ashtu dhe parlamenti gjerman dëshirojnë t’i hapin rrugën Shqipërisë për në Europë, por shqiptarët janë ata që duhet ta përshkojnë këtë rrugë.”