Presidenti Hashim Thaçi dha të enjten dorëheqjen nga posti, menjeherë pas konfirmimit të aktakuzës për krime gjatë luftës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës.
Në një konferencë për shtyp, Thaçi deklaroi se nuk do të dalë para gjyaktës së Hagës si president, por si një ish-drejtues i UÇK-së.
Ai i bëri thirrje partive të Kosovës që të angazhohen për të siguruar vazhdimin e mirëqeverisjes së vendit.
“Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë,” mbylli Thaçi deklaratën e tij të fundit si president i vendit.
Thaçi deklaroi se është njohur, të enjten, 5 nëntor me aktakuzën.
Një ditë me parë, edhe Kadri Veseli, aktualisht kryetar i PDK-së, u vu në dijeni për akt akuzën dhe sot është nisur për në Hagë.
Veseli dhe Thaçi, akuzohen se janë përgjegjës për rreth 100 vrasje të civilëve gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës.
Krimet mbi të cilat janë ngritur akuzat përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh të Kosovës, përfshirë dhe kundërshtarë politikë të tyre.