Një konferencë për shtyp e presidentit të Lituanisë dhe kryeministrit të Spanjës në një bazë ajrore të NATO-s në Lituani u ndërpre papritur të enjten pasi një avion rus i është afruar hapsirës ajrore lituaneze pa njoftuar.
Qeveria Spanjolle tha se një aeroplan i paidentifikuar nxiti gjendjen e gatishmërisë dhe shkurtimisht ndërpreu konferencën. Media spanjolle El Pais raportoi se aeroplani ishte rus, por deklarata e qeverisë nuk specifikoi diçka të tillë.
Një zyrtar i NATO-s i tha Associated Press se avionët e Spanjës u ngritën “për të identifikuar dy avionë që fluturonin në zonën e Detit Baltik”. Ato ishin dy avionë luftarakë rusë Su-24 që shkonin në verilindje, tha zyrtari.
Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se dy bombarduesit Su-24 fluturuan të enjten me një mision të rregullt stërvitor mbi ujërat neutrale të Balltikut. “Fluturimi u krye në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare të përdorimit të hapësirës ajrore dhe pa shkelje të kufijve të ndonjë vendi,” tha ministria në një deklaratë.
Sánchez u tha gazetarëve kur rifilloi konferenca për shtyp: “Ne kemi parë një rast real të asaj që ndodh zakonisht dhe që justifikon praninë e trupave spanjolle me shtatë avionë luftarakë në Lituani.”
Të tre vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – u bashkuan me NATO në 2004 dhe nuk kanë aeroplanë luftarakë të tyre. NATO ka përgjegjësinë të monitorojë hapësirën e tyre ajrore nga baza në Lituani dhe Estoni.