Presidenti i PE, Sassoli mbështet integimin e Ballkanit Perëndimor në BE pas mbylljes së reformave

Nga Exit News
Presidenti i PE, Sassoli mbështet integimin e Ballkanit Perëndimor në BE pas mbylljes së reformave

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli e sheh si një projekt për “paqen dhe prosperitetin” anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, megjithatë ai vë në dukje kushtet që duhen plotësuar në mënyrë që vendet të anëtarësohen.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha edhe për rajonin dhe Evropën, duke ndihmuar në stabilitetin, prosperitetin dhe paqen në kontinent”, ka thënë Sassoli, raportoi gazeta gjermane, Funke Mediengruppe.

Megjithatë ai ka theksuar se integrimi i këtyre vendeve në BE lidhet ngushtë me reformat që ato duhet ende të ndërmarrin. Nga ana tjetër Sassoli ka kërkuar nga BE që të mbajë premtimet dhe të njohë përparimin e bërë në këto vende.

Vetëm Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur bisedimet për anëtarësim me BE ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse kanë marrë miratimin e Këshillit për negociatat presin ende vendosjen e datës për Konferencës Ndërqeveritare për të nisur bisedimet në praktikë.

Rruga e integrimit të këtyre vendeve ka ngecur vitet e fundit. Zhvillimet e brendshme në Mal të Zi dhe problemet e Serbisë me Kosovën kanë penguar dy vendet të përparojnë në procesin e negociatave.

Vitin e kaluar, Bullgaria vendosi veto ndaj nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve mes Sofjes dhe Shkupit për gjuhën dhe historinë.

Bosnjë Hercegovina dhe Kosova konsiderohen si kandidate potenciale për nisjen e bisedimeve.

Shqipëria pret vendosjen e datës për Konferencën e parë Ndërqeveritare por fati i saj mund të vendoset nga zgjidhja e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë pasi Brukseli nuk e sheh me sy të mirë ndarjen e dy vendeve në procesin e anëtarësimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>