Pavarësisht se nuk ka ende një emër konkret, Kuvendi nisi sot procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Në Konferencën e Kryetarëve u vendos se me datë 19 prill do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit.
Mandati i Presidentit aktual Bujar Nishani
Presidenti Bujar Nishani u zgjodh nga Kuvendi më 11 qershor 2012, me 73 vota në raundin e katërt të votimit. Ai u betua në Kuvend si President i Republikës më 24 korrik 2012.
Bazuar në Nenin 88, pika 2 të Kushtetutës, mandati 5 vjeçar i Presidentit Nishani përfundon më 24 korrik 2017.
Zgjedhja e Presidentit të ri
Dje, Drejtoria e Shërbimit Juridik pranë Kuvendit ka sqaruar përmes një letre se procedura për zgjedhjen e Presidentit pasardhës do të duhet të fillojë jo më herët se data 13 prill dhe jo më vonë se data 9 korrik 2017.
Po dje , Gramoz Ruçi, kreu grupit parlamentar të PS-së, me anë të një letre i propozoi kreut të Kuvendit Meta nisjen e procedurave dhe mbajtjen e raundit të parë më 19 prill, propozim ky që u pranua nga Konferenca e Kryetarëve sot.
Kështu, bazuar në Nenin 87, pika 1 të Kushtetutës, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit një kandidaturë për President.
Presidenti zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi.
Votimi i parë – nga pesë votime gjithsej – duhet të zhvillohet brenda 7 ditësh nga dita e fillimit të proçedurave.
Në votimin e parë, Presidenti zgjidhet me shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Votimi quhet i vlefshëm edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidaturë.
Po ashtu në votimin e dytë e të tretë, nevojiten sërish 84 vota pro për tu zgjedhur president, ndërsa në votimin e katërt e të pestë duhen 71 vota.
Në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda pesë raundeve të votimit, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe brenda 45 ditëve zhvillohen zgjedhje të reja.
Kandidaturat
Bazuar në Nenin 88 pika 1 të Kushtetutës, Presidenti aktual Nishani ka të drejtën të kandidojë sërish nëse propozohet nga të paktën 20 deputetë të Kuvendit.
Ndërkohë nga koalicioni qeverisës PS-LSI nuk ka ende një kandidaturë konkretë. Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të ndërmarrë asnjë lëvizje për këtë çështje pa u këshilluar me kreun e LSI-së Meta.
Në media është folur shpesh për një presidente femër. Ministrja aktuale e Mbrojtjes Mimi Kodheli, është shprehur se do ta pranonte një post të tillë dhe se ndihet e gatshme.
Po ashtu deputetja socialiste Arta Dade ka pranuar se nëse do të propozohej nga një grup deputetësh, nuk do ta refuzonte postin e kreut të shtetit.