Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka kthyer për rishqyrtim ndryshimet e ligjit për planifikimin dhe zhvillimin urban, të cilat socialistët i miratuan me procedurë të përshpejtuar më 4 korrik.
Meta ka vendosur që ato të rikthehen për t’u rishqyrtuar në parlament.
Ndër argumentat kryesore që Presidenti ka bërë për kthimin e ligjit, janë kalimi i ndryshimeve me procedurë të përshpejtuar pa u konsultuar mirë dhe pa u qartësuar saktë.
Ndryshimet e ligjit lejonte ndryshimet e projekteve gjatë fazës së ndërtimit të tyre. Ndryshimet e projekteve tashmë mund të bëheshin si në procedurën e rishqyrtimit të lejeve.
Ligji nr. 42/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” u kthye për këto arsye:
- Ky projektligj është kaluar pa arsye me procedurë të përshpejtuar, pa u konsultuar me publikun, grupet e interesit, ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e tij.
- Neni 8 i ligjit që parashikon shtesa në ligjin aktual për planifikimin dhe zhvillimin e territorit është jo i plotë, i paqartë në formulim, mund të krijojë keqinterpretime, të cilat mund të sjellin shpërdorime fondesh, mund të dëmtojnë interesin publik dhe mund të nxisin konflikte mes sipërmarrësve dhe pronarëve.
- Ndryshimet ligjore duhen saktësuar nëse i referohen vetëm projekteve me iniciativë private. Duhet qartësuar në mënyrë të sigurtë dhe shterues, se cila do të jetë procedura për realizimin e procesit të konsultimit, midis pronarëve të truallit, investitorëve dhe sipërmarrësve për ndryshimin e kushteve të lejes dhe projekteve gjatë fazës së zbatimit.
Në dy muajt e fundit, Presidenti Meta ka kthyer disa ligje në Kuvend, kjo si tregues i qartë se maxhoranca po përfiton nga mungesa e opozitës për të ndryshuar ligje pa marrë parasysh konsultimet dhe dakordësitë me palët e tjera.
Më 15 dhe 16 korrik Meta ktheu në Kuvend ndryshimet e ligjit për rezervat e shtetit dhe ndryshimet ligjit për privatizimin dhe dhënien në përdorim të ndërmarrjeve shtetërore. Ndërsa më 26 qershor ai i ktheu socialistëve ligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat.
Ndërkohë nga njoftimi i sotëm, Presidenti ka bërë gjithashtu me dije se ka dekretuar 3 ligje të tjera.
Meta duket se nuk është bërë pengesë për ligje që kanë të bëjnë me mjedisin, shëndetin dhe financat, pasi ka dekretuar:
- ligjin 46/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për mbrojtjen e faunës së egër”,
- ligjin 49/2019 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe KfW Frankfurt Am Main (KfW), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”.
- ligjin nr. 56/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.