Presidenti maqedonas: Platforma e Ramës na solli krizën kushtetuese

Presidenti maqedonas: Platforma e Ramës na solli krizën kushtetuese

“Për shkak të Platformës së Tiranës, kriza politike [në Maqedoni] është rritur në një krizë kushtetuese.”

Kjo ishte deklarata e fortë e Presidentit të Maqedonisë George Ivanov në fjalimin e përvitshëm përpara deputetëve të Kuvendit.

Duke folur për vitin 2017, Presidenti Ivanov theksoi se kriza politike, për fat të keq është bërë tashmë realitet:

“Nuk mund, që mos të konstatoj se kriza po bëhet një normalitet i ri, ku njerëzit filluan të mësohen me të.”

Sipas presidentin, marrëveshja e Tiranës mes liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, hartuar nën dirigjimin e Edi Ramës, për të unifikuar qëndrimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ka sjellë shumë mospërputhje të Kushtetutës dhe ka vështirësuar formimin e qeverisë.

“Platforma e Tiranës” ishte një prej arsyeve kryesore se përse Presidenti Ivanov i refuzoi dy herë të drejtën për të formuar qeverinë Zoran Zaev, lideri i partisë LSDM.

Në fillim të marsit, Presidenti Ivanon, në refuzimin e parë të koalicionit të Zaev, deklaroi se: “kushtetuta dhe ndërgjegja ime më ndalon të jap një mandat për këdo që shkatërron sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.” Ai shtoi se Zoran Zaev duhet të jetë i pari që të refuzojë një “platformë që vjen nga një vend i huaj”.

Po ashtu, ish-kryeministri Nikola Gruevski ka refuzuar publikisht platformën e hartuar në Tiranë, në janar 2017, nga partitë shqiptare të Maqedonisë.

Me anë të një deklarate për shtyp, VMRO-DPMNE, forca që fitoi zgjedhjet e dhjetorit me 51 vende në parlament, shprehet:

 “Në zgjedhjet e kaluara qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në e jo për platformën e Tiranës. Është e palejueshme që platforma e Tiranës të bëhet kusht për formimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Ajo qeveri do të ishte Qeveri e Tiranës.”

Megjithëse prej disa muajsh tashmë, Maqedonia ka qeverinë e re, formuar nga LSDM dhe dy  partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët, parlamenti është bllokuar dhe shumë nga reformat nuk janë votuar ende.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>