Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ditën e sotme ligjin e ri të Teatrit Kombëtar të miratuar fund të vitit 2018. Presidenti argumentoi që edhe pse ligji i ri duket sikur garanton konkurencë të lirë në garën për Teatrin, kriteret e vendosura në ligj janë një shmangie e qëllimshme nga procedurat standarde dhe institutionet e specializuara të prokurimit publik, me qëllim kontrollin e plotë nga qeveria të të gjithë procesit, qoftë fiktiv, të konkurrimit.
“Në pamje të parë, duket sikur tashmë do të realizohet një procedurë konkurrimi e lirë dhe që respekton kërkesat kushtetuese për veprimtari të lirë ekonomike dhe trajtim të barabartë, por nëse shqyrtohen dispozitat e mëtejshme ku përcaktohen kërkesat, mjetet dhe kriteret sesi kjo garë realizohet, arrihet në konkluzionin logjik se sërish edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe që nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm.” shkruhet në kërkesë.
Presidenti, gjithashtu argumentoi se Parlamenti nuk hartoi asnjë raport mbi arsyet e paraqitura në dekretin e Presidentit, sikurse e kërkon ligji. Madje, Parlamenti ndryshoi ndjeshëm atë pjesë të ligjit që nuk ka të bëjnë me dekretin e Presidentit edhe pse ligji i detyron për të shqyrtuar vetëm vërejtjet e Presidentit dhe të japë përgjigjen ndaj secilës prej kërkesave të dekretit.
Më poshtë po rendisim disa nga argumetat paraqitura në kërkesën e Presidentit Meta drejtuar Gjykatës Kushtetuese:
Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.
Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.
Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Së pesti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.
Së gjashti, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Së shtati, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.
Në tetor të 2018 Presidenti Meta e ktheu sërish Ligjin e ri për Teatrin me argumentin se ai nuk ka zgjidhur asnjë prej shkeljeve të Kushtetutës dhe parimeve demokratike që ai ngriti në korrik, kur nuk e dekretoi ligjin për herë të parë. Megjithatë pavarësisht kësaj shumica socialiste e miratoi ligjin e ri në nëntor të 2018.