Presidenti Meta dërgon në Kushtetuese, vendimin e qeverisë për kalimin e Teatrit në Pronësi të Bashkisë

Nga Exit News
Presidenti Meta dërgon në Kushtetuese, vendimin e qeverisë për kalimin e Teatrit në Pronësi të Bashkisë

Presidenti Ilir Meta paditi të enjten qeverinë në Gjykatë Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të kalimit të truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë.

Në një konferencë për shtyp, Presidenti Meta bëri publik padinë e re dërguar në Kushtetuese.

Ai pohoi se vendimi i qeverisë synon të zhdukë trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar. Vendimi përmban të njëjtën problematikë kushtetuese si ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Meta u shpreh se të dy aktet shprehin qartë të njëjtin qëllim: prishjen e Teatrit Kombëtar.

Këto akte duhen shfuqizuar sepse shkelin Kushtetutën, parimet kushtetutese dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara.

Presidenti argumentoi se vendimi i qeverisë shkel dhe Ligjin për Qeverisjen Vendore. Bashkia ka për qëllim ruajtjen dhe zhvillim e trashëgimisë kulturore, por s’mund të vendosë për fatin juridik të tyre.

“Pronësia e Teatrit Kombëtar i takon Republikës së Shqipërisë dhe s’mund t’i kalojë Bashkisë Tiranë. Ajo s’mund të vendosi në lidhje me prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta pohoi se GJK duhet të pezullojë vendimin e qeverisë dhe ligjin deri sa të kemi një vendim përfundimtar të saj.

Reagimi i Presidentit Meta vjen pas lajmit se Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë nesër, në orën 12:00, projekt vendimin për prishjen e godinës së Teatrit kombëtar.

Disa ditë më parë, Presidenca paralajmëroi se do të padisë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranë, në rast se qeveria dhe bashkia nuk tërhiqen.

Më 25 korrik 2019, Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese padinë e parë kundër qeverisë dhe bashkisë dhe kërkoi shpalljen si antikushtetues të ligji për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Për shkak të mosegzistencës së Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit vendosi ta marrë çështjen në shqyrtim vetëm në fund të vitin 2019.

Më 30 dhjetor 2019, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese i kërkoi Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë e Tiranës të japin argumentet e tyre për se kanë hartuar dhe miratuar këtë ligj special. Çështja nuk është shqyrtuar ende në GJK.

 

 

 

4 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme