Presidenti Ilir Meta i kërkoi sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dhëna për procesin e dhënies së mandateve të lëna nga deputetët e PD-së dhe LSI-së.
Më anë të një shkrese, Zoti Meta i kërkoi KQZ-së dokumentet e saj për njoftimin e krijimit të vakancave në kuvend, dokumentet e dorëheqjeve të deputetëve nga mandatet, si dhe dokumentet e dhënies së çdo mandati sipas listave shumëemërore të partive.
Kjo është kërkesa e dytë brenda pak ditësh që Meta i dërgon KQZ-së.
Më 14 qershor, Meta i kërkoi KQZ-së numrin përfundimtar të deputetëve në kuvend dhe listën emërore të tyre.
Më 17 qershor, KQZ i ktheu përgjigje Metës duke e sqaruar se Parlament ka aktualisht 122 deputetë nga 140 që nevojiten.
Kjo do të thotë se zëvendësimet e deritanishme të deputetëve të opozitës nuk kanë mundur ende ta sjellin parlamentin në gjendjen e tij kushtetuese. Sipas, Kushtetutës, Parlamenti i Shqipërisë duhet të përbëhet nga 140 deputetë.
Në shkurt 2019, deputetët e partive të opozitës vendosën të heqin dorë nga mandatet e deputetëve. Si rezultat, shumë nga kandidatët e tyre për deputetë, të vendosur nga Basha dhe nga Monika Kryemadhi në pozicione të pazgjedhshme në listë pranuan mandatet e lëna nga deputetët e partive të tyre.
Madje, disa nga “renegatët” e Partisë Demokratike formuan një grup parlamentar “demokrat” me kryetare deputeten Rudina Hajdari, një nga dy deputetët e PD-së, të cilët nuk pranuan të dorëzonin mandatet.
Pavarësisht se Parlamenti nuk është legjitim, Edi Rama po përpiqet që me ‘opozitën e re’ të miratojë ligjet dhe vendimet, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar parlamentare, si reforma zgjedhore, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm.