Presidenti Meta deklaroi sot se liria e medias në vend është përkeqësuar.
Në aktivitetin “Liria e shprehjes përballë të drejtave të njeriut”, organizuar nga Avokati i Popullit, ai u shpreh se numri i reporterëve është ulur pasi ata janë larguar nga vendi, ndërkohë që pronarët e mediave kanë marrë rolin e kryeredaktorin.
Duke ju referuar raportin të fundit të OSBE për zgjedhjet lokale në 30 qershor, zoti Meta tha se ajo është një këmbanë alarmi për lirinë e shprehjes në vend:
“Fatkeqësisht, liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar. Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu. Pas shumë viteve, gazetarët i janë rikthyer protestave në mbrojtje të lirisë së shprehjes, ndërsa numri i reporterëve që janë detyruar të largohen është rritur, ndërsa disa pronarë mediash në këmbim të përfitimeve, e kanë asgjesuar postin e kryeredaktorit të lajmeve, se e bëjnë vetë.
Raporti paraprak i disa muajve i OSBE/ODIHR se media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke imponuar autocensurën, janë kambana alarmi për lirinë shqetësuese të shprehjes në Shqipëri.”
Gjithashtu Presidenti Meta gjatë fjalës së tij deklaroi se “largimi i Agron Tufës ishte lajm tronditës, por më tronditës heshtja për këtë.”