Presidenti Meta i shqetësuar për lirinë e medias

Nga Exit News
Presidenti Meta i shqetësuar për lirinë e medias

Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimin e tij për përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri.

Meta lëshoi një deklaratë pas publikimit të Indeksit të Lirisë së Medias, të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), ku Shqipëria kishte rënë me dy vende, duke u renditur në vendin e 84 në botë.

“Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë,” u shpreh Meta, në faqen e tij në Facebook.

Meta pohoi se mbështet paralajmërimin e RSF-së se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.

Meta i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet nga kjo paketë dhe rishikojë ligjet e miratuara, të cilat janë antikushtetuese dhe shkelin parimet e një shteti demokratik.

Presidenti më parë ktheu për rishqyrtim në Parlament, paketën antishpifje. Paketa po shqyrtohet tani nga Komisioni i Venecias dhe qeveria deklaroi se do të presë opinionin e saj përpara se ta miratojë atë.

Paketa i jep qeverisë fuqinë për të bllokuar, gjobitur dhe kufizuar qasjen në faqet e internetit që ajo mendon se botojnë “lajme të rreme” ose shkelin kërkesat e parashikuara në ligj.

Meta pohoi se “liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.”

Ai theksoi shqetësimin e RSF-së se qeveria po përdor fatkeqësinë e tërmetit dhe të pasojave të rënda të pandemisë COVID-19 që të justfikojë kufizimin e lirisë së medias.

Në fund ai vlerësoi të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias, për “punën e tyre të shkëlqyer heroike” në vijën e parë të raportimit në këto ditë të vështira.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>