Presidenti Meta: Jam i gatshëm të rishikoj datën e zgjedhjeve

Presidenti Meta: Jam i gatshëm të rishikoj datën e zgjedhjeve

Presidenti Meta deklaroi sot se është i gatshëm të rishikojë dhe ndryshojë datën e zgjedhjeve lokale, nëse ka vullnet politik nga shumica dhe opozita për të zgjidhur krizën politike.

Më anë të një deklarate për shtyp, zoti Meta u shpreh:

“Shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep Kushtetuta, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.”

Duke marrë shkas nga deklaratat e parlamentit gjerman se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, Meta shkruan se si Kryetar i Shtetit ka përgjegjësinë “të mbrojë pluralizmin politik duke siguruar garë të barabartë dhe zgjedhje të lira e të ndershme.”

Presidenti Meta duke iu drejtuar kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha, që prej dy ditësh kanë shkëmbyer letra publike me njëri-tjetrin, që “të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme.”

Në fund të deklaratës së tij, Meta deklaroi se është i gatshëm të japë dhe dorëheqjen si President, “nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse”.

Prej dy ditësh, Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha kanë shkëmbyer mes tyre letra publike, ku Rama i kërkoi Bashës dialog, ndërsa Basha refuzoi ftesat e tij. Në këto letra, Kryeministri Rama është shprehur se është i gatshëm për dialog për zgjidhjen e krizës, por se data 30 qershor për zgjedhjet lokale është e panegociueshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>