Presidenti Ilir Meta i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Gjykatës së Lartë (GJL), të shpallin përfundimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Në një letër dërguar KLGJ-së dhe GJL, Presidenti Meta argumenton se mandati i Dvoranit ka përfunduar dhe ai është zëvendësuar.
KLGJ vendosi ti lërë afat, gjyqtarit Dvorani deri të mërkurën, në orën 16.00, për të dhënë një mendim për kërkesën e Presidentit.
Më 9 Korrik 2019, KLGJ shpalli tre pozicione të lira në Gjykatën e Lartë, për t’u plotësuar nga rradhët e juristëve të spikatur. Njëri prej tre vendeve ishte edhe ai i Dvoranit. Më 10 Mars të këtij viti, u emëruan tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, duke zëvëndësuar kështu gjyqtarin Ardian Dvorani.
Mbarimi i mandatit të gjyqtarit Dvorani si anëtar i Gjykatës së Lartë, sjell edhe mbarimin e mandatit si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi Kushtetuta dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë parashikojnë se gjyqtari duhet të jetë në detyrë gjatë ushtrimit të detyrës si anëtar i KED.
Kushtetuta parashikon se mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë. Duke qenë se Ardian Dvorani është aktualisht drejtues i Gjykatës së Lartë kjo ka pak gjasa të ndodhë, kështu Presidenti ka kërkuar ndërhyrjen e KLGJ-së.
Ardian Dvorani është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë në Shkurt 2005 dhe mandati i tij 9-vjecar ka përfunduar në Shkurt 2014. Megjithatë, Dvorani ka vazhduar të qëndrojë në detyrë, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, vendimet e marra nga Ardian Dvorani pas mbarimit të mandatit të tij janë të pavlefshme, për se ai ka qëndruar në detyrë në kundërshtim me ligjin.
Rasti i Ardian Dvoranit është një rast unik në Evropë, ku një gjyqtar i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë 16 vite, ndër të cilat 7 vite pasi i ka përfunduar mandati.