Presidenti Ilir Meta kërkoi që ndryshimet e Kodit Penal të zbatohen në mënyrë të unifikuar dhe ato mos të cenojnë të drejtat e njeriut.
Në një shkresë dërguar institucioneve të reja të drejtësisë (Këshillit te Lartë Gjyqësor e Prokurorisë), Ministrisë së Shëndetësisë, së Brendshme dhe Drejtësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Presidenti Meta theksoi se këto institucione, para hyrjes në fuqi të ndryshimeve duhet:
–Të plotësojnë kuadrin ligjor në lidhje me parashikimet penale, përfshirë përcaktimin e termave gjendje e epidemisë”, “masa të jashtëzakonshme”, “urdhër i organeve kompetente për karantinim ose izolim”, “person mbartës”, “detyrimi i njoftimit nga autoritetet shtetërore përkatëse”, apo “sëmundje infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin”
–Të hartojnë listë shteruese të sëmundjeve infektive të rrezikshme
–Të nisin një fushatë të gjerë informimi për masat e marra dhe ndryshimet në Kodin Penal
–Të rrisin kapacitetet që t’ju vijnë në ndihmë familjeve në nevojë dhe pensionistëve
–Të njoftojnë të gjithë personat e diagnostikuar, karantinuar apo izoluar, dhe të afërmit e tyre dhe personave të tyre të kontaktit dhe ky njoftim të jetë i dokumentuar.
Presidenti Meta pohoi zbatimi i këtyre masave “duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv.”