Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi sot ligjin special të Teatrit Kombëtar, duke e kthyer atë sërish në parlament për votim.
Në njoftimin zyrtar të Presidencës, theksohet se ligji i votuar vetëm me votat e shumicës socialiste më 5 korrik, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që ka ratifikuar.
Argumentet që rendit presidenti Meta për mosdekretimin e ligjit janë:
Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.
Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.
Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.
Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.
Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.