Presidenti Ilir Meta i ka nisur një letër Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) për të hetuar mbi denoncimin e bërë nga përfaqësuesi i PD-së, Enkelejd Alibeaj në lidhje me përdorimin e të dhënave personale për fushatë elektorale.
Përmes një letre dërguar SPAK, Meta e konsideron këtë një nga aktet më të rënda dhe cenim të mbrojtjes të të dhënave personale.
“Presidenti i Republikës, i shqetësuar nga ky skandal i denocuar tashmë publikisht, i kërkon SPAK-ut, të nisë menjëherë hetimet, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të administruar dhe sekuestruar jo vetëm provat që faktojnë këtë veprimtari të paligjshme, por edhe për të ruajtur dhe ndaluar abuzimin që kryhet me të dhënat personale të shtetasve, nga Partia Socialiste në këtë proces zgjedhor.”
Presidenti shprehet se SPAK duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar prekjen e të dhënave personale.
“Presidenti vlersëson se, në një situatë të tillë, nuk mjafton vetëm nisja e hetimeve për rastin konkret, por SPAK duhet që me veprime konkrete proaktive, të parandalojë dhe hetojë çdo lloj veprimtarie që cenon të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme, mbi të gjitha për të rikthyer edhe besimin e qytetarëve tek funksionimi i drejtësisë, pavarësia e saj, dhe ndëshkimi i shkelësve të përsëritur të ligjit.”