Presidenti Ilir Meta bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Çim Peka për ardhjen e Komisionit të Venecias në Tiranë dhe vizitën e kryeministrit Rama me kancelaren Merkel në lidhje me hapjen e negociatave Shqipëri-BE.
Zoti Meta deklaroi se nëse Komisioni i Venecias gjen se presidenti ka shkelur kushtetutën gjatë periudhës së zgjedhjeve vendore, atëherë presidenti do të japë dorëheqjen:
“Nëse Venecia thotë që Presidenti Ilir Meta ka shkelur kushtetutën unë do të largohem.
Të thotë Venecia që e kam shkelur Kushtetutën dhe unë të rri President, kjo nuk ndodh.”
Megjithatë, presidenti Meta u shpreh i vendosur se ai nuk e ka shkelur kushtetuten gjatë anulimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet vendore:
“Jam 100 për qind i bindur që kam respektuar Kushtetutën.”
Zoti Meta sqaroi se vendimi i tij për të anuluar 30 qershorin, nuk ka ardhur si pasojë e presioneve nga vendet e BE-së apo SHBA-ve, por vetëm nga situate e brendshme e vendit:
“[Ai] vendim nuk ka asnjë lidhje me asnjë faktor të huaj, përfshirë edhe Gjermaninë.
Ka lidhje vetëm me zhvillimet e brendshme dhe ka lidhje me një skenar të qartë të provokuar të përplasjes civile dhe një gjakderdhjeje në Shqipëri, por edhe njëkohësisht për t’i dhënë një goditje madhore demokracisë apo standardeve, në të cilat është demokracia sot në vend.”
Presidenti Meta komentoi dhe takimin e Kryeministrin Rama dhe Kancelaren gjermane Merkel. Ai tha se vendimi nëse Gjermania do të votojë pro apo kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë nuk merret nga Merkeli, por nga parlamenti gjerman, ndaj duhet të presim fundin e shtatorit për ta mësuar:
“Nuk vendos Kancelarja, sepse ajo nuk është aq e fuqishme sa ç’është Rama këtu.
Gjermania, edhe ajo [Merkel] kanë dëshirën e mirë.
Shpresojmë që kësaj dëshire t’u bashkohen edhe të gjithë grupet në Bundestag.
Por natyrisht do të na duhet që të presim edhe pak për këtë gjë.
I mbajmë mend ato kërkesa që Krishbaum si kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundeshtag ia ka bërë zotit Rama në zyrë, por i ka bërë edhe publikisht në konferencë shtypi me mediat përpara më shumë se sa dy vitesh.
Unë shpresoj që të gjitha këto të jenë realizuar dhe që ne t’i bashkohemi ‘gotës së shampanjës’.”