Presidenti Meta: Kriza zgjidhet me zgjedhje të parakohshme, me një sistem ku qytetari kontrollon deputetin

Nga Exit News
Presidenti Meta: Kriza zgjidhet me zgjedhje të parakohshme, me një sistem ku qytetari kontrollon deputetin

Presidenti Ilir Meta nuk do ta japë dorëheqjen pavarësisht shumicës socialiste dhe kritikëve që kanë kërkuar largimin e tij.

Në një intervistë për gazetaren Sonila Meço, presidenti Meta tha se dorëheqja e tij nuk do të ndihmonte vendin të kalonte krizën, përkundrazi, do të çonte në kapjen totale të shtetit nga shumica socialiste:

“Shqipëria ka miq dhe armiq në Europë, në Amerikë. Është luftë interesash, unë mbroj interesat e vendit tim dhe kombit tim. Dorëheqja nuk ndihmon për zgjidhje, por për një kapje totale të shtetit.

Dorëheqja e zotit Meta do të ishte një tradhti e hapur, flagrante dhe e pafalshme ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Deri në 24 korrik 2022, Ilir Meta është në atë zyrë dhe do ta bëjë detyrën e vet me përkushtim maksimal dhe është shumë i qartë në qëndrimin e vet.”

Lidhur me zgjidhjen e krizës politike, Zoti Meta tha se rruga e vetme që institucionet të jetë legjitime është zhvillimi i zgjedhje dhe se do të jetë përgjegjësi vetëm e Partisë Socialiste nëse vendos të mos shkojë në zgjedhje deri në vitin 2021, siç deklaroi kryeministri Rama:

“Vendi ka nevojë për legjitimitet të institucioneve. Ky parlament për faj të PS dhe të opozitës nuk e ka legjitimitetin.

Një parlament ku të kanë ikur 183 deputetë në lista dhe ke shteruar të gjithë listat nuk e paraqet dot si institucion legjitim dhe demokratik.

Legjitimiteti i parlamentit dhe pushetit vendor kthehet përmes zgjedhjeve.

Dëshiron PS t’i bëjë në 2021 është përgjegjësi e saj për përshkallëzimin e kësaj krize se nuk ke dialog mes institucioneve. Je në krizë të vazhdueshme dhe askush nuk të beson ty se je një vend demokratik.”

Presidenti Meta theksoi se ka qenë gjithmonë pro një sistemi zgjedhor ku qytetari ka lidhje të drejtpërdrejta me deputetët dhe ku qytetarët kanë të drejtë të bëjnë referendume:

“Për bindjen time të përhershme duhet të ketë një lidhje të drejtëpërdrejtë të qytetarit me deputetin me emrin konkret, jo vetëm me partinë. Sepse kjo do t’i japi një tjetër dimension ose do t’i rikthejë dimension parlamentit. Unë jam për çdo zgjidhje që e lidh deputetin me qytetarin.

E vetmja rrugë që kjo klasë politike apo ajo që do të vijë të bëhet e përgjegjshme është që qytetarët të marrin kontrollin e sistemit dhe unë për këtë shikoj të zbatohet e të bëhet ligji në respekt të vendimit që kanë marrë vetë qytetarët shqiptarë në referendumin për Kushtetutën në ’98 për të aplikuar të drejtën e tyre për referendum.

Kjo është rruga që do t’i detyrojë partitë, politikanët që të mos marrin iniciativa, të bëjnë ligje që cënojnë interesin e qytetarit. Demokracia është kur qytetari kontrollon politikën.”

Duke folur për sulmet ndaj ambasadave, Zoti Meta sqaroi se interesi i tij i vetëm është mbrojtja e Kushtetutës:

“Çfarë interesi kam unë të sulmoj ambasadorët?!

Por nëse ca palaço diplomatë tallen me Kushtetutën e Shqipërisë, është detyra ime tu tregoj vendin atyre.

Këtë Kushtetutë e kam bërë me ambasadorë, me Komisionin e Venecias, me 140 vota. Nuk bëhet shteti ligjor nëse zbatimi i Kushtetutës bëhet në këtë mënyrë si tani.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>