Presidenti Meta: Parlamenti aktual nuk është legjitim

Presidenti Meta: Parlamenti aktual nuk është legjitim

Gjatë një interviste të shkurtër për gazetarët, Presidenti Meta tha se ai “është zgjedhur president nga parlamenti, jo nga ky parlament, por nga një tjetër legjitim”.

Kjo deklaratë vjen një ditë pasi 100 deputetë votuan pro qëndrimit të socialistëve në kuvend, sipas të cilit dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore është antikushtetues dhe i pavlefshëm.

Presidenti sqaroi se pavarësisht kundërshtimeve të qeverisë dhe KQZ-së, dekreti “është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë”. Meta shtoi se “presidenti po mban parasysh me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjet”.

Pyetjes nëse ka ndonjë propozim për datën e re të zgjedhjeve, Meta iu përgjigj se ai po punon ende me partitë politike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si e vetmja mundësi për hapjen e negociatave me BE-në.

Ndërkohë, pak pas kësaj deklarate, Presidenti Meta i kërkoi informacion zyrtar për numrin e deputetëve në Kuvend.

“Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë, për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi”, pyeti Presidenti Meta, kryetarin e KQZ-së.

Meta ka folur edhe më parë për jolegjitimitetin e parlamentit actual, të përbërë nga 122 deputetë të Partisë Socialiste dhe të “opozitës së re”. Gjatë një vizite në Pogradec në mars 2019, ai u shpreh se “parlamenti ka 82 deputetë të ligjshëm, ku përfshihen edhe ata 3 deputetë të opozitës, që nuk pranuan të lënë mandatet”, duke lënë të kuptohet se deputetët e rinj të opozitës nuk përfaqësojnë qytetarët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>