
Presidenti Ilir Meta deklaroi të enjten se kriza e koronavirusit dhe jo kriza politike duhet të kishte qenë prioriteti i politikanëve të Kosovës këto ditë.
Në një intervistë mëngjesin e së enjtes, presidenti zgjodhi të mos komentojë direkt mbi shkarkimin e qeverisë Kurti mbrëmjen e 25 marsit, por tha se aktualisht të gjitha fuqitë duhet të fokusohen tek përballimi i krizës së koronavirusit:
“Përballimi i situatës së krijuar nga kjo pandemi [koronavirusi] duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë udhëheqësit e Kosovës, të cilët duhet të mendojnë se si do të japin një zgjidhje ‘Pro Kosovë’ dhe jo ‘anti-Kurti’.”
Mbrëmjen e 25 marsit, kuvendi i Kosovës shkarkoi qeverinë Kurti me 82 vota pro, pas një mocioni mosbesimi propozuar nga vetë LDK-ja.