Presidenti Meta akuzoi qeverinë Rama se po përdor një procedurë tjetër ekstra-ligjore dhe anti-kushtetuese për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.
Duke komentuar vendimin e qeverisë për t’i kaluar bashkisë pronësinë e truallit të TK-së, Meta theksoi se:
“çdo vendim për të cenuar godinat e teatrit është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar”.
Ai theksoi se çështja e Teatrit Kombëtar po pritet të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese, ku të paditur janë Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës.
Marrja e një vendimi si ky i transferimit të truallit të teatrit nga po të njëjtat institucione, vetëm sa rëndon pozitën e tyre antikushtetuese, shkruan presidenti Meta.
Ai thekson se Gjykata Kushtetuese do të gjykojë dhe faktin se çdo vendim për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtëpëdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, parashikuar nga neni 3 i Kushtetutës.
Presidenti i bëri thirrje institucioneve të mos marrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.
Në fund, Meta theksoi edhe një herë se kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Çdo dëmtim i tyre do të jetë i parikuperueshme në të ardhmen.