Kryeministri Edi Rama ka dërguar shkarkimet e ministrave dhe katër propozimet e tij të reja për tu dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani.
Sipas nenit 98 të Kushtetutës, Presidenti Nishani ka 7 ditë kohë për të pranuar largimin e Tahirit, Beqajt, Çuçit e Klosit dhe për të shqyrtuar kandidatët e propozuar Xhafaj, Manastirliu, Shalsi e Xhaçka.
Pasi të kenë marrë dekretimin e Presidentit, Kuvendi ka dhjetë ditë kohë për të votuar ministrat e rinj.
Propozimi më i diskutueshëm i Kryeministrit Rama është pa dyshim ai i deputetit Fatmir Xhafaj si ministër i Punëve të Brendshme.
Jetëshkrimi zyrtar i Fatmir Xhafës tregon se nga viti 1982 deri në 1986 ai ka qenë “avokat në sistemin juridik” gjatë periudhës së komunizmit. Duhet theksuar se në atë kohë profesioni i avokatit ishte i ndalur. Ndaj duket se ka tre mundësi se çfarë mund të ketë qenë realisht Fatmir Xhafaj në ato vite: gjyqtar, prokuror ose hetues.
Sipas ligjit të lustracionit të vitit 2008, të tre këto funksione i ndalojnë Zotit Xhafaj të drejtën për qenë deputet apo ministër.
Po sipas jetëshkrimit, nga viti 1986 deri në vitin 1999 nuk dihet se çfarë aktiviteti ka ushtruar Zoti Xhafaj.
Presidenti Nishani ka kërkuar nga Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) informacionet e nevojshme për të parë nëse Zoti Xhafaj dhe tre kandidatët e tjerë përmbushin kushtet ligjore për të mbajtur postin e ministrit.
Në rastin e Zotit Xhafaj, detyra e Presidentit Nishani dhe SHISH duket se do të jetë të zbulojë funksionin e saktë të tij në sistemin gjyqësor të diktaturës komuniste, funksionon e tij në strukturën e Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), e më pas të zbatojnë ligjin në përputhje me rrethanat.
Nëse kjo nuk ndodh, do të vendosë Kuvendi nëse procesi i vettingut do të ngecë dhe për pushtetin ekzekutiv, ashtu si ka ngecur për pushtetin gjyqësor.