Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në takimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor për formimin e mini – Shengenit.
Në një postim në Facebook, presidenti Thaçi sqaroi se nuk mund të marrë pjesë në një tryezë ku disa prej shteteve pjesëmarrëse nuk e njohin shtetin e Kosovës:
“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë.
Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën.”
Presidenti Thaçi tha se ‘për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal.’
Një ditë më parë dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj deklaroi se deri në ato momente, Kosova nuk kishte pasur ftesë për të marrë pjesë në këtë takim, por edhe nëse do të ftohej Haradinaj theksoi se nuk do të merrte pjesë.
Më 21 dhjetor është parashikuar të mbahet në Durrës takimi i radhës për të diskutuar idenë e miniShengenit ballkanik. Deri më sot Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri në detyrë i Maqedonisë Zoran Zaev kanë zhvilluar 2 takime, një në Novi Sad dhe një në Ohër.
Në takimin e fundit morën pjesë përfaqësues të qeverisë së Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Një ditë më pas nga qeveria malazeze u tha se nuk do t’i bashkoheshin nismës. Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliq e konsideroi minishengenin “shpenzim energjish, pasi Mali i Zi i ka hapur prej kohësh kufijtë duke hequr barrierat tregtare me fqinjët”.
Shteti i Kosovës nuk njihet nga Serbia dhe as nga Bosnja. Prej së paku një viti marrëdhëniet e tensionuara politike dhe ekonomike kanë bërë që edhe bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të ndalen. Ndërkohë së fundmi mohimi i masakrës së Reçakut nga Serbia ka bërë që partitë politike në Kosovë të kërkojnë qasje tjetër në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.