Sipas një artikulli të botuar nga Radio Free Europe, Presidenti Trump ka vendosur të shkurtojë ndjeshëm financimet e SHBA-ve për ndihmën e huaj për vitin e ri fiskal 2018.
“Ne do të propozojmë uljen e buxhetit për ndihmën e huaj dhe përdorimin e atyre fondeve brenda SHBA-ve” – u shpreh për Fox News pak ditë më parë, Mick Mulvaney, drejtor i Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Mulvaney shtoi se ulja do të jetë dramatike.
Sipas propozimit të Presidentit Trump, shkurtimet më të mëdha do të prekin Departamentin e Shtetit dhe programet e Agjensisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump do t’i kërkojë Kongresit të shkurtojë me 54 miliardë dollarë fondet e ndihmës së huaj dhe kjo shumë të shkojë për buxhetin e ushtrisë.
Sipas Associated Press, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka rënë dakord në princip me këtë propozim, por ai sugjeron që ky shkurtim të jetë i shtrirë në tri vite dhe jo menjëherë brenda vitit të ardhshëm. Tillerson propozoi që buxheti i Departamentit të Shtetit dhe USAID-it për vitin e ardhshëm të shkurtohet me 20 për qind.
Nëse ky propozim miratohet nga Kongresi, shumë programe të ndihmës së huaj të financuara nga SHBA-të kudo në botë përfshirë edhe Shqipërinë rrezikojnë të mbyllen.