Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është shprehur e shqetësuar për situatën në Izrael dhe Gaza dhe ka dënuar sulmet “pa dallim” të Hamasit ndaj qyteteve izraelite.
Von der Leyen ka bërë thirrje në Twitter që civilët të mbrohen nga konflikti i nisur të hënën, në të cilin forcat ushtarake izraelite dhe palestineze kanë shkëmbyer sulme me raketa.
Në lidhje me konfliktin është shprehur edhe zyra e Presidentit të SHBA, Joe Biden. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se ata mbeten të fokusuar në ç’tensionimin e situatës, raporton BBC.
Megjithatë ajo nënvizoi faktin se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet duke i quajtur të “pa justifikueshme” sulmet me raketa të Hamasit në zonat me popullsi civile në Izrael.
Hamasi, grupi që qeveris në Gaza, lëshoi të hënën raketa në drejtim të Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë Xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalem, vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame.
Zyra e Presidentit francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se ai kishte folur në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në një deklaratë thuhet se presidenti i shprehu “ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit me raketa të pretenduara nga Hamas dhe grupe të tjera terroriste”.
Macron bëri thirrje për kthim në paqe, “dhe gjithashtu i komunikoi homologut të tij shqetësimin për popullsinë civile në Gaza”.
Në Austri, Kancelari Sebastian Kurz tha në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AFP se dënon “me vendosmërinë më të madhe sulmet kundër Izraelit nga Rripi i Gazës”.
Austria dhe Sllovenia ngritën të premten flamuj kombëtarë të Izraelit në ndërtesat zyrtare në shenjë “solidariteti” me shtetin hebre.
Të paktën 122 persona kanë vdekur në Gaza, ndërsa tetë kanë vdekur në Izrael që kur filluan luftimet të hënën.