Presidentja e KE, Ursula von der Leyen priti të enjten në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ajo i uroi suksese Kurtit në drejtimin e qeverisë. Ky është takimi i parë mes Von der Leyen dhe Kurtit.
Kurti ndodhet për vizitë në Bruksel ku po takon zyrtarë të lartë të BE.
¨Takim i mirë i parë me Albin Kurtin. I uroj qeverisë së tij suksese në avancimin e reformave në Kosovë, duke përfshirë në shtetin e së drejtës, dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. BE do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, përfshirë vaksinat për të luftuar pandeminë¨, tha ajo në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua të mërkurën në Bruksel me të dërguarin special të BE për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajcak.
Kurti deklaroi se ai nuk do të takohet me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, pasi 11 maji u përmend si një datë e mundshme për një takim të tillë në Bruksel.
“Nuk mund të marr pjesë në një takim, të cilin nuk e kam konfirmuar më parë pjesëmarrjen time,” u tha Kurti gazetarëve të mërkurën, ndërsa filloi vizitën dy-ditore në Bruksel.