Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka kërkuar qeverisë hungareze dhe rumune të propozojnë kandidatë të rinj për eurokomisionerë.
Një ditë më parë, dy kandidatët e propozuar nga Hungaria dhe Rumania, László Trócsányi dhe Rovana Plumb u refuzuan nga Parlamenti Evropian për shkak të problemeve me justifikimin e pasurisë dhe konfliktit të dyshuar të interesit.
Presidentja Von Der Leyen kishte propozuar që hungarezi Trócsányi të drejtonte portofolin e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, ndërsa rumunia Plumb atë të Transportit.
Zëdhënësi i presidentes njoftoi se Von Der Leyen është në bisedime me qeveritë hungareze dhe rumune për të marrë propozime të reja.
Ai tha se kryeministri hungarez Orbán i ka sugjeruar presidentes kandidaturën e Olivér Várhelyin. Varhelyin është aktualisht përfaqësues i përhershëm i Hungarisë në BE. Ai ka punuar në Ministrinë e Jashtme hungareze dhe ka qenë pjesë e bisedimeve të Hungarisë për anëtarësimin në BE. Gjithashtu, Várhelyi njihet si ndër njerëzit më besnikë të kryeministrit Orbán.
Ndërkohë nga Rumania ende nuk ka një kandidaturë të re.
Pa miratimin e secilit prej eurokomisionerëve të propozuar nga komisionet e PE-së, Parlamenti Europian nuk mund të votojë të gjithë ekipin në grup.